18-05-2024

Njësimi i alfabetit, gur themeli për njësimin e gjuhës dhe të kombit shqiptar

Ndër katër ngjarjet kombëtare më të mëdha historike, gjuhësore e letrare, kulturore e arsimore, shtetformuese, të cilave u janë referuar dhe do t’u referohen studiuesit e historisë, të gjuhësisë, të letërsisë e folklorit, të didaktikës dhe kulturës janë pa dyshim, Kongresi i Manastirit (1908), i cili, me mënjanimin e alfabeteve të tjera shprehu në mënyrë të qartë idenë dhe vullnetin e shqiptarëve se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës kanë qenë dhe janë kërkesa që përligjin dhe e bëjnë funksional unitetin politik të kombit.

Kështu e nis shkrimin Shezai Rrokaj në Gazetën Shqiptare kushtuar 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u shënua dje.

Frashëri do të pohonte te “Gjuha shqip”, se “Kombetë mbahenë me gjuhëtë, një komb që e humbet gjuhënë e vet është i humburë dhe harruarë … (dhe se)… xhdo shqiptar, i madh e i vogël të mësojë këto shkronja e të munjë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën e ti, që ka mësuarë me qumështit e s’ëmësë’.

Është i njohur fakti se Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje politiko-shoqërore, e cila u karakterizua nga një përpjekje e gjithanshme emancipuese me synime të qarta për shkëputje politike si dhe nxjerrjen nga prapambetja arsimore e kulturore nëpërmjet bashkimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Ngjarja e dytë është Kongresi i Elbasanit (1909) dhe hapja e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për mësimin e gjuhës shqipe. Vendimet e tij kishin të bënin me mbrojtjen e gjuhës dhe vënien në zbatim të alfabetit të Manastirit.

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit ishte hapja e Shkollës Normale për mësimin e gjuhës shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe dhe masivizimi i shkollës ishin bërë kërkesë e e ditës dhe vendimet kishin të bënin me mbrojtjen e gjuhës dhe zbatimin e alfabetit të Manastirit, me përgatitjen e mësuesve, hartimin e teksteve për mësimdhënien në gjuhën amtare në të gjitha lëndët dhe kategoritë e shkollave. Ky ishte një hap tjetër i rëndësishëm drejt njësimit të gjuhës shqipe.

Profesor Mehmet Çeliku e vlerëson Kongresin Kombëtar të Elbasanit si “një ngjarje e rëndësishme kulturore, arsimore e politike, ai është kongresi i shkollave shqipe dhe i gjuhës shqipe, është kurorëzim i luftës së gjatë të Rilindjes Kombëtare shqiptare për identitet kulturor shqiptar.

Ngjarja e tretë është Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës, e cila hedh për herë të parë themelet e një politike gjuhësore, në kuptimin teorik të këtij koncepti, po të mbajmë parasysh se për herë të parë kemi një mbështetje institucionale nga Komanda austro-hungareze me synime të qarta në këtë drejtim. R. Elsie thekson se Komisia Letrare Shqipe u ngrit prej austro-hungarezëve “…me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral, për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit, si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.”

Komisia ishte një projekt madhor për një politikë gjuhësore, e cila do të krijonte një sinergji midis institucioneve qeverisëse të kohës dhe plejadës së intelektualëve, me qëllim kodifikimin e drejtshkrimit dhe unifikimin e variantit letrar që do të përfaqësonte gjuhën e administratës, të shkollës, të shtypit, të literaturës në tërësi dhe të kulturës së mbarë kombit.

Kjo politikë gjuhësore në dobi të formësimit të shtetit të ri shqiptar jepet në mënyrë të qartë nga S. Çeka, kur pohon se “Parimi dhe zbatimi i dialektit historik të Elbasanit dhe përgjithësimi i tij në qeveri me kulturë shkollore të truallit tonë asht nji përparim i paçmuar dhe nji … çap për bashkimin politik dhe letrar të dy copave të pashqitshme të Veriut dhe të Jugës.”

Ngjarja e katërt e rëndësishme është Kongresi i Drejtshkrimit (1972) dhe gjithë hapat e mëtejshëm për të realizuar gjuhën e njësuar, si një vepër ku kombi do të realizojë për shtetin a shtetet e tij një konvergjencë gjuhësore njësuese kryesisht në administratën publike, në shkollë dhe në media. Natyrisht, në harkun e këtyre ngjarjeve madhore dhe në përmbushje të synimeve të tyre ka pasur përpjekje të tjera të rëndësishme dhe me arritje të pamohueshme, si: Shoqëria e Stambollit (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899) dhe Shoqëria “Agimi”(1901), Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920), Kongresi Arsimor i Tiranës (1922), Kuvendi i Parë i Studimeve Albanologjike (Tiranë, 1940), Instituti i Studimeve Shqiptare (Tiranë, 1940), Instituti i Gjuhësisë (Tiranë), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 1968).

Ajo që i bashkon këto ngjarje është fakti se çështja gjuhësore nuk ka qenë qëllim në vetvete dhe për vetvete; ajo shërbente si mjet për një qëllim më të madh: njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet, për të mbërritur mandej te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, me qëllim që të vihej më mirë në qarkullim dija kombëtare shtetformuese, si pronë e bashkësisë, për të realizuar unifikimin vetëdijes si komb; një vetëdije e brendshme në gjithë rrugëtimin prej Rilindësve tanë e këtej.

Ndaj mund të pohohet pa mëdyshje se qysh prej Kongresit të Manastirit çështja e njësimit të alfabetit dhe gjuhës nuk ka qenë qëllim në vetvete. Me ndonjë përjashtim, kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me kërkesën e njësimit kombëtar dhe të autonomisë, sepse programi i lëvizjes kombëtare është i lidhur me procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të unitetit kombëtar’. I përmbahemi mendimit se kjo sinergji e unitetit të alfabetit, të gjuhës dhe kulturës në shërbim të unitetit të kombit është një politikë gjuhësore, herë në trajtën e përpjekjeve sporadike të qarqeve të caktuara qysh prej rilindësve e herë si një angazhim shtetëror prej Komisisë e në vazhdim. Pavarësisht nga veçanësitë dhe kushtet historike që kanë ndikuar në qëndrimet përkatëse ajo që i bashkon këto ngjarje historike është larmia e pjesëmarrësve dhe formimeve të tyre si: studiues e krijues në gjini të ndryshme, apo edhe patriotë, shtetarë, fetarë etj./kona.net

Asnjë koment

Comments are closed.