27-04-2024

Nxënës me nota të dobëta por me pikë maksimale në testet kombëtare, shkak po shihet kopjimi

Nxënësit e Kosovës kanë arritur rezultate të mira në testet kombëtare, mirëpo në testet ndërkombëtare, siç është PISA rezultatet e nxënësve janë shumë më të ulëta se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE) dhe më të ulëtat në rajon.

Kjo është njëra nga çështjet e gjetura nga Zyra Kombëtare e Auditorit, e cila ka gjetur edhe shumë mangësi sa i përket sistemit arsimor dhe testeve kombëtare. Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë dhe nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit ka ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxisë një kulturë jo të mirë mes nxënësve, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas raportit, rezultati i përgjithshëm i kalimit në testit të arritshmërisë në nivel kombëtar në vitin 2015 ishte 62.6 dhe 58.1% në 2018. Kurse nga pjesëmarrja për vlerësim në PISA në vitin 2015 dhe 2018, në të dy rastet Kosova kishte renditje të ulët në rezultatet; e treta nga fundi në vitin 2015 dhe e pesta nga fundi në vitin 2018.

“Pra nuk ka shënuar ndonjë progres në vlerësimin e vitit 2018. Madje ka regres në disa zona. PISA mat rezultatet në 6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë. Sipas raportit, 66% e nxënësve kosovarë kishin rezultate nën nivelin e 2-të. Ndërsa vetëm 0.1% e nxënësve ishin në nivelet 5-6 (mbi mesataren)”, thuhet në raport.

Me raportin nuk po pajtohen në Ministria e Arsimit. Kurse, njohësit e arsimit thonë se bëhet fjalë për plagjiaturë, ku e cilësojnë si fenomen të shprehur në institucionet arsimore.

Fexhrije Thaqi, udhëheqësja e Auditimit ka treguar për KosovaPress, që gjatë gjetjeve nga Zyra Kombëtare e Auditmit, nxënës me notën mesatare dy kanë marrë pikë maksimale në testin e arritshmërisë. Ajo tha që problemi qëndron te metoda e testimit e cila nuk është në bazë të kërkesave të kurrikulës.

“Testi i arritshmërisë dhe vlerësimet vjetore që bëhen për nxënësit të klasës së nëntë, nga vlerësimet tona dhe rezultatet që i kemi vërejtur, ka dalë që shumë nxënës kanë shpërputhje në mes notave që marrin dhe atë të testit të arritshmërisë. Një nxënës më notën mesatare dy ka arritur të marrë 84 pikë në test të arritshmërisë dhe në të njëjtën kohë ka nxënës që e marrin notën 5 por janë më të ulët në test. Arsyet e Ministrisë dhe të arsimtarëve kanë qenë që ka metoda edhe për shkak të metodës së testimit, metodat e testimit janë me alternativa që nuk është në bazë të kërkesave të kurrikulës. Mësimdhënësit përdorin metoda të ngjashme pyesin nxënësit përmes pyetjeve me alternativë, kurrikula kërkon që në fund nxënësi të vlerësohet se sa i është zhvilluar mendimi kritik, mënyrat e të shprehurit dhe shkrimi kurse më këto metoda nuk kanë mundësi të vlerësohet nxënësi për këto shprehitë e krijuara”, tha ajo.

Thaqi është shprehur që trajnimet e mësimdhënësve nuk kanë qenë në bazë të kurrikulës dhe se MASHTI ka dështuar të ofrojë trajnime të duhura për DKA-të./KSP

Asnjë koment

Comments are closed.