Operacioni ‘Brezovica’: Tre gjykatës, vëllezërit e Thaçit dhe Enver Hoxhaj pronarë të villave të sekuestruara
Lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.
Këto villa të sekuestruara, sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi” në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.
Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar listën e 75 pronave, kryesisht villa, ku figurojnë emrat e pronarëve, ku ka gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar të tre gjykatësit për të konfirmuar sekuestrimet e villave të tyre nga Prokuroria, pasiqë janë ndërtuar në zonën ku nuk lejohet ndërtimi, gjë të cilën e kanë konfirmuar.
“Lejen e kom marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nis afërsisht në nëntor… Këtë vit kom vazhdu dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.
I pyetur se si ka blerë pronë dhe si ka ndërtuar në Zonën e II-të të Brezovicës, ku ndërtimi ndalohet me ligj, Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.
“Në qoftë se e vërtetojnë ata (prokuroria), duhet me na akuzu neve penalisht me na ndjek, s’kom çka me fol aty unë, unë kom apliku si çdo qytetar me dokumentacion të rregullt me ato leje urbanistike… Edhe me fol të drejtën unë fortë edhe s’jom marr me atë punë se arkitekt e kom një të afërm temin, ai na ka bo planin e ato krejt a po më kupton, aty nëse vërtetohet se ka ryshfet atëherë duhet me më ndjek penalisht mu”, ka thënë Maliqi.
“Tash s’po bisedojmë si gjyqtar e si prokuror, unë si qytetar aty kom ndërtu. Tek e fundit ato zona edhe vet prokuroria ka pas problem me i identifiku deri sa kanë dal me aparatin e GPS-ave. Tek e fundit unë kom apliku e kom paraqit parcelën, në cilën parcelë, në cilin vend, çfarë sipërfaqe, tash unë s’jom i obligum me i ditë ato zona, tek e fundit se di shpinë ku e kom në zonë në Ferizaj, a aty qe 50 vite jetoj aty, unë se di tash në cilën zonë jom”, ka deklaruar ai.
“Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka fillu… Në procedurë të rregullt kena apliku, organet kompetente e kanë lëshu, me gjithë dokumentacionin çka është dashtë”, ka thënë Hyseni.
“Nuk e kom ditë ato pjesë me zona qysh janë, gjeodet nuk jam… Unë kom ble pronë aty kam pas bindje që lejohet aty për shkak se ka pas ndërtime 10 vjet e 15 vjet para neve”, ka thënë Hyseni.
“Ju do të informoheni me kohë për çdo detaj lidhur me këtë çështje, unë do të ju njoftoj juve personalisht edhe krejt të interesuarve, për momentin nuk kam çka me thanë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka konfirmuar njëjtë se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e villës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.
Në këtë drejtim edhe janë sekuestruar objektet në Zonën II, pasiqë janë rrjedhojë e veprave penale, pasi sipas ligjit, në këtë zonë zyrtarët nuk kanë mundur në asnjë formë të lëshojnë leje ndërtimi, pasi ndalohet ndërtimi me ligj.
Sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin.
Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.