14-07-2024

Pacientët para “ordinancës” e çuan përsëri në burg “Burdushin shpirtëror”

Telashet e Burdushit me drejtësinë nuk kanë të ndalur.  Ai është arrestuar sërish nga Policia e Kosovës, pas një bastisje që është kryer në ordinancën ku ushtron veprimtarinë.

Ushtroi “profesionin” për vite të tëra pa u penguar, por që nga nëntori i vitit të kaluar puna Burdushit nuk po i ec puna edhe aq mirë. Ai është vënë pas prangave sërish sot.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se aksioni i sotëm është vazhdimësi e rastit të mëhershë.

Mehmeti ka thënë se Prokurori ka lëshuar vendim për ndalimin e Burdushit, dhe se sot gjatë ditës do të dorëzohet në Gjykatë aktvendimi për zgjerim të hetimit dhe kërkesa për paraburgim.

“Rasti në fjalë është vazhdimësi e rastit të mëhershëm. Prokurori ka lëshuar vendim për ndalimin e të pandehurit H.P., dhe pritet që gjatë ditës në Gjykatë të dorëzohet aktvendimi për zgjerim të hetimit, si dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Mehmeti.

Express mëson se gjatë kohës kur ka shkuar policia në vend të ngjarjes, aty janë parë disa pacientë që ishin drejtuar te mjeku popullor.

Policia e prokuroria gjatë kësaj bastisje kanë siguruar prova të reja, si dhe kanë sekuestruar para e vetura.

Ndërkohë, Burdushi sa ishte në paraburgim kishte tentuar t’i japë fund jetës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku ishte mbajtur për rreth katër muaj.

Ai në shenjë pakënaqësie kundër vendimit të Gjykatës, kishte tentuar që të bëjë vetëvrasje, duke përdorur çarçafin e shtratit.

Por, me të dëgjuar zhurmën në dhomën e Burdushit, zyrtarët korrektues kishin reaguar shpejt dhe e kishin parandaluar atë të bëjë një gjë të tillë.

“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në  dhomën e tij. Mënyrën e tentim-vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën, po ashtu, e ka në dhomë. Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende  pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, kishte thënë Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi për Gazetën Express.

Thaçi ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka kurrfarë lëndimesh.

“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit”, ka deklaruar ai.

Shenja të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës, Burdushi kishte shfaqur edhe më herët. Ai kishte hyrë në grevë urie, derisa i ishte përkeqësuar gjendja.

Burdushi ishte liruar nga paraburgimi më 15 mars të këtij viti. Se kishte ndryshuar masa për Burdushin kishte konfirmuar për Gazetën Express, prokurori i prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Kryeziu kishte deklaruar se për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor.

“ Ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, maksimumi i dënimit për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri është pesë vite dhe për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase mbi katër muaj, prokurori ka konsideruar se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor”, kishte deklaruar ai.

Ndryshe, Burdushi ishte arrestuar nëntorin e vitit të kaluar pas një bastisje që ishte kryer në shtëpinë e tij.

Nga ajo shtëpi u morën armë, plumba, telefona e madje dhe videoincizime nga brenda dhomës ku Peqani mbante seanca me pacientë.

Sic mëson Gazeta Express, Burdushi në mënyrë të fshehur kishte xhiruar të gjithë ata persona që janë drejtuar të ai për ndihmë, e të gjitha këto janë të ruajtura e në dorë të prokurorisë.

Aty u gjetën gjithashtu edhe armë, të cilat iu kishte skaduar afati i lejës dhe një numër i madh i plumbave.

Bastisja fillimisht ishte kryer nën dyshimet fillestare për dy vepra penale, shmangie nga tatimi dhe për veprën penale të mashtrimit.

Por, pas bastisjes dhe provave të gjetura, ndaj Burdushit, tashmë Prokuroria e Prizrenit, po heton në drejtim të 4 veprave penale.

Sipas Prokurorisë, Peqani dyshohet për veprat Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “Shmangia nga tatimi”, “Mashtrim” dhe “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, që mund t’i kushtojnë atij deri në 12 vjet burg, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata atij ia ka ndaluar edhe ushtrimin e profesionit për tri vjet. Këtë vendim Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka shqiptuar si dënim plotësues, pasi e gjeti fajtor për veprat penale të mashtrimit dhe e dënoi me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Peqanit iu shqiptua “Dënim plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh”, thuhet në vendimin e Gjykatës. E së fundi, atij i është sekuestruar dhe ngrirë edhe pasuria në vlerë rreth 3 milionë euro. Sipas prokurorisë ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurit Hysni Peçani.

“Prokuroria Themelore në Prizren, në bazë të informacioneve dhe dëshmive të arsyeshme, si dhe, në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prizren dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar ngrirjen e përkohshme dhe sekuestrimin e aseteve në vlerë rreth 3 milionë euro në dy raste të ndara në Prizren”, thuhet në njoftim. Shuma e përgjithshme e aseteve të ngrira dhe të sekuestruara në këtë rast arrin vlerën rreth 2 milionë e 600.000 euro. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.