Pacolli ‘thumbon’ Kurtin: More atë që deshe, Shtëpia e Bardhë i vendosi Kosovës vijë të kuqe
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, e ka thumbuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
Pacolli përmes një postimi në Facebook, thotë se kryeministri Kurti, me veprimet e tij, e mori atë që donte, pra u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë.
“Kryeministri Kurti mori atë që donte. Nga Shtëpia e Bardhë, jo e kuqja, apo e gjelbërta, u vendos në grupin e shteteve që kanë vijë të kuqe nga Shtëpia e Bardhë”
“Është hera e parë që Kosova përjashtohet nga një Samit i Shoqërive të Lira, samit ku Kosova duhet të ishte e para në rajon. Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë të thyejë ciklin e izolimit. Shteti ynë duhet të jetë në forume shumëpalëshe si ky forum, por duhet të ketë edhe angazhim bilateral”, thekson Pacolli.
Ai thekson se asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që për më shumë se 7 muaj qeveria e Lpspbës të mos e vizitojë Uashingtonin dhe as që një lider kosovar të mos takohet me homologët e tyre amerikanë.
Kosova në këto vite dhe muaj është treguar e pasinqertë ndaj aleancës me SHBA-në. Joe Biden dhe John Kerry gjatë administratës së Obamës u ofenduan nga pushtetarët e sotëm ndërsa sot çdo kërkesë amerikane merret me dyshim, refuzohet apo përbuzet. Dëm i madh për Kosovën!”, potencoi Pacolli.
Ndryshe, Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.