24-11-2024

Palmer: Ambasada e SHBA-së është dhe do të mbetet në Jerusalem

Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për televizionin serb N1 ka folur edhe për çështjen e vendosjes së ambasadave në Jerusalem.

Palmer kur është pyetur për Serbinë, ka thënë se i takon Beogradit zyrtar ta përcaktojë se ku e dëshiron lokacionin e Ambasadës.

Megjithatë ka thënë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës çështja e vendosjes së Ambasadës në Jerusalem është çështje e mbyllur, raporton Gazeta Express.

“Para se gjithash është vendim i Serbisë, se ku dëshiron që Ambasada të vendoset. E jona është në Jerusalem dhe aty do të mbetet”, ka thënë Palmer.

Çështja e vendosjes së Ambasadës në Jerusalem ka qenë dhe vazhdon të mbetet temë edhe në Kosovë, meqë kreu i VV’së, Albin Kurti, pas një takimi që ka pasur me ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë vendimin e Hotit për të vendosur Ambasadën në Jerusalem.

Një gjë e tillë nga mediat izraelit është parë si qëndrim i shtyrë nga presioni i Turqisë dhe letra e Erdoganit për Albin Kurtin.

Megjithatë kryeministri i Izraelit, Netanyahu e ka ftuar Albin Kurtin që të jetë i pranishëm në ditën kur Ambasada e Kosovës do të inaugurohet në Jerusalem.

Kritik për një qëndrim të tillë të Kurtit rreth lokacionit të ambasadës ka qenë edhe ish-emisari i Trump, Richard Grenell.

Grenell ka thënë se Albin Kurti në vazhdimësi ka qenë kundër secilës administratë amerikane, duke filluar nga ajo e Bill Clinton e duke përfunduar tek Trump.

Ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka thënë se Albin Kurti do të jetë edhe kundër presidentit të ri të SHBA’së, Joe Biden./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.