Pandemia si virus i turizmit
Janë bërë gjashtë vjet që kur Erdis Driza nga Prizreni, ka shndërruar shtëpinë e vjetër të familjes në bujtinë. Punën më të madh thotë se ka në muajin gusht, sidomos në ditët kur mbahet festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër ‘DokuFest’.
Për shkak të pandemisë COVID-19, ky festival që ka filluar më 7 gusht dhe zgjatë deri më 25 gusht, po mbahet online.
Si pasojë e kësaj, Erdis Driza thotë se në bujtinën e tij që mund të flenë brenda natës deri në 17 persona, tash nuk është askush. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se do ta mbyllë bujtinën e tij, biznes ky me të cilin ai mbanë familjen pesë anëtarëshe.
“Në mars sa deshëm ta hapim pas një rinovimi të vogël, filloi izolimi dhe e mbyllëm edhe prej atëherë që pesë muaj, diku 15 mysafirë i kemi pasur. Këtë javë më duhet të shkoj në ATK që ta paraqes mbylljen e bujtinës sepse është tremujori i dytë që po më duhet të paguajë Trustin, tatimin, të gjitha po më duhet t’i paguaj, e në anën tjetër nuk po bëjmë aq para sa të paguajmë ato që janë obligative”, thotë Driza.
Të papunë janë edhe kompanitë turistike në qytetin perëndimor të Kosovës. Mentor Bojku nga Peja është bashkëpronar i kompanisë ‘Outdoor Kosovo’.
Ka disa vjet që me veturat e kompanisë ai dhe punëtorë të tjerë, kanë bartur dhjetëra turistë brenda ditës për në bjeshkët e Rugovës dhe në lokacione të tjera.
Mirëpo që nga fillimi i pandemisë, veturat e tij kanë mbetur të parkuara dhe të pashfrytëzuara si pasojë e mungesës së vizitorëve. Bojku tregon për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk e kanë të angazhuar asnjë punëtor dhe janë duke punuar vetëm ai dhe partneri i tij në biznes.
“Gjatë kohës kur nuk ka sezon jemi të angazhuar dy-tre persona, ndërsa kur është vrulli i punës, mbërrin deri në 15-16 punëtorë. E njëjta periudhë e këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, jemi të angazhuar vetëm dy persona, sa për të mos u mbyllur firma”, thotë Bojku.
Për çdo vit Kosovën e vizitojnë miliona turistë. Një vizitë dyditore në Kosovë një turisti i kushton nga 100 deri 150 euro. Sipas shoqatave të turizmit në Kosovë, rënia e numrit të turistëve ka bërë që të ketë deficit deri në 20 milionë euro në këtë sektor.
Baki Hoti kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i turizmit është në një kolaps total.
“Viti i kaluar në bazë të analizave që kemi marr nga sektori i hotelerisë dhe agjencive turistike, ka qenë njëri ndër vitet më të mira sa i përket turistëve. Nëse e llogarisim me pjesën e diasporës, kemi pasur mbi dy milionë turistë që e kanë vizituar Kosovën, ndërsa këtë vit siç po shihet deri më tash kemi një numër 2 për qind të numrit të kaluar”, thotë Hoti.
Ai thotë se rimëkëmbja e këtij sektori do të jetë i vështirë pasi kërkon një kohë më të gjatë.
Sipas kryetarit të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, 70 për qind e bizneseve të hotelerisë janë duke punuar me humbje.
“Duke e ditur natyrën e punës që e ka hoteleria, numri më i madh i punëtorëve është në sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe si rezultat i kësaj dhe masat të cilat janë ndërmarr në fillim, ky sektor ka qenë më i atakuari”, thotë Sogojeva.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë të dhëna edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë lidhur me këtë çështje, por nga kjo ministri nuk janë përgjigjur.