26-09-2020

Pandemia ua prishi planet për pushime shumë kosovarëve

Pasiguria e krijuar nga pandemia Covid-19 ka prishur planet e shumë kosovarëve për të shkuar në pushime këtë vit. Përveç frikës nga infektimet, arsye tjetër është edhe pamundësia financiare shkaku i krizës ekonomike. Edhe kërkesat e disa vendeve bregdetare që ta kenë testin, që dëshmon se nuk është i infektuar me Covid-19, kanë ndikuar që qytetarët t’i anulojnë planet e tyre.

Pandemia ua prishi planet edhe turistëve të huaj. Që nga shfaqja e rasteve të para me Covid-19 në mesin e muajit mars, kur u bllokuan edhe kufijtë, shumë turistë që kishin planifikuar të vizitonin Kosovën kanë anuluar rezervimet e tyre të bëra një vit më parë. Por, edhe pas heqjes së disa kufizimeve, pasiguria e krijuar shkaku i rritjes së numrit të të infektuarve, ka ndikuar që shumë shtete ta fusin Kosovën në listë të zezë dhe të kërkojnë nga qytetarët e tyre që t’i shmangin vizitat në Kosovë.

Vetëm në muajin e parë të pandemisë dëmet që i janë shkaktuar turizmit, sipas Unionit të Turizmit të Kosovës, llogaritet të jenë 4 milionë euro. Këto dëme, sipas tij, janë shumëfish më të mëdha në kohën e pikut të sezonit, kur pritjet kanë qenë shumë më të mëdha.

Hotelet dhe bizneset po funksionojnë vetëm me 10 deri në 15 për qind të kapaciteteve të tyre, shkaku i mungesës së turistëve. Nëse kjo situatë vazhdon dhe shteti nuk i mbështet, ato thonë se janë buzë falimentimit. Të papunë kanë mbetur edhe shumë tour operatorë e guida.

Qytetarët me mendime të ndryshme për pushimet

Nga viti i kaluar, Gëzim Kastrati nga Prishtina kishte planifikuar që një pjesë të pushimeve verore t’i kalonte me shoqëri në bregdetin e Malit të Zi. Por, atij iu desh që t’i anulonte këto pushime. Kjo pasi nga mesi i marsit deri në fillim të qershorit ai mbeti pa punë. Mbyllja e përkohshme e restorantit ku punonte nga Qeveria ia përmbysi planet.

“Vitin e kaluar ishim me një grup të shoqërisë në Ulqin dhe kemi kaluar shumë mirë. Nga atëherë e kemi ba plan me shku prap, po 5 shokët që punojmë në sektor të gastronomisë për afro 3 muaj kemi qenë pa punë e pa paga. Kjo situatë na ka krijuar edhe një pasiguri, se çka nëse kjo situatë përsëritet, si do të mbijetojmë”, thotë Gëzimi, shkruan Koha Ditore.

Edhe kërkesa për testet që dëshmojnë se nuk janë të infektuar me Covid-19, nga autoritetet e Malit të Zi, thotë se ka bërë që përfundimisht të heqin dorë nga ky pushim. “Testet edhe me simptoma me qenë se nuk po i bajnë, e lëre ma pa to. Tash kanë fillu edhe privat me i ba, por po kushtojnë”, thotë ai.

Asnjë koment

Comments are closed.