Paraburgim ish-policit serb Dejan Pantiq, i dyshuar për terrorizëm
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndryshe, Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një reagimi në Facebook, më 10 dhjetor 2022, ka shkruar se Pantiq dyshohet për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, kishte shkruar Sveçla. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.