Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, me kërkese të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë në bashkëkryerje.
Po ashtu ai ngarkohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në arsyetim thuhet se me datën 19.09.2018, rreth orës 22:20 minuta, në Prizren tentojnë me dashje t’i privojnë nga jeta persona të tjerë në mënyrë që në momentin kur i vërejnë të dëmtuarit me iniciale M.B-1, M.B-2 dhe Q.G. që ishin duke qarkulluar me automjetin e tyre, të pandehurit iniciale D.S ,K.S dhe M.B. u dalin përpara dhe i detyrojnë ta ngadalësojnë automjetin, të cilët ishin të pajisur me armë zjarri.
“Të pandehurit me iniciale S.K.dhe E.E. ishin të pajisur me shufra metali të cilët i drejtohen automjetit në të cilin ishin të dëmtuarit dhe fillojnë t’i sulmojnë duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të automjetit, të dëmtuarit dalin me shpejtësi nga automjeti dhe fillojnë të vrapojnë ndërsa të pandehurit vazhdojnë t’i ndjekin dhe të gjuajnë në drejtim të dëmtuarve, me ç’rast nuk arrin t’i lëndojnë, ndërsa një predhë e godet automjetin e të dëmtuarve, dhe disa predha godasin frigoriferin dhe xhamat e vitrinës të një marketi aty afër”, thuhet në raport.
Gjykata mendon se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është më se i domosdoshëm pasi që i njëjti është i njohur për organet e drejtësisë, i cili është gjykuar për vepra të ndryshme penale, andaj po të lihet në liri ekziston mundësia që i njëjti të ndikoj në bashkëkryesit tjerë të cilët janë në arrati./GazetaePrizrenit.net/