Pas vërshimeve në Evropë, MPJD me njoftim të rëndësishëm për kosovarët
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se nga informacionet që janë mbledhur nga misionet e Kosovës në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër , vende këto që po përballen me përmbytje dhe vërshime nga të reshurat, nuk ka asnjë të dhënë për viktima ose të lënduar nga radhët e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në këto shtete.
“Nga raportet e misioneve të Kosovës në këto shtete, deri sot në mesditë (e premte, ora 12:00), është kontaktuar në dy raste Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf, të cilat kanë arritur të asistojnë në dy raste në identifikimin e një familjeje dhe një personi tjetër, të cilët kishin rezultuar të humbur në rajonet e prekura nga përmbytjet. Për të dy rastet ambasada dhe konsullata e Kosovës kanë qëndruar në kontakt me autoritetet gjermane si dhe familjarët e personave në Kosovë deri në identifikimin e tyre, dhe sigurimin që janë në gjendje të mirë shëndetësore”.
“MPJD-ja do të informojë në vazhdimësi opinionin publik lidhur me situatën dhe zhvillimet në raport me pjesëtarët e mërgatës sonë, në të gjitha zonat e përmbytura në Evropën Perëndimore”.