19-04-2024

PDK akuzon ministrin Vitia për abuzime në kohë pandemie, kërkojnë hetimin e tenderëve

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbajtur sot një konferencë për media, ku e ka akuzuar ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë, për keqpërdorim të parasë publike në kohë të pandemisë Covid-19.

Ishte kryetari i Rinisë Demokratike, Donjet Bislimi, ai që e ftoi Prokurorinë që t’i hetojë tenderët e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka thirrur këtë konferencë shtypi për të shprehur alarmin për abuzimet e rënda që po bëhen nga ministri në detyrë Arben Vitia, i qeverisë së shkarkuar të Albin Kurtit. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të Republikës që të vihet menjëherë në lëvizje dhe të hapi rast për faktet e rënda korruptive të paraqitura dje nga dokumentari Indoks me titullin ‘Tenderomani në kohë pandemie’”.

“Sipas të dhënave të nxjerra nga ky emision, gjatë javëve të fundit janë bërë mbi 5 milionë euro blerje me kontrata të negociuara, duke anashkaluar procedurat e rregullta, me justifikimin e situatës emergjente. Një ndër kompanitë kryesore që ka përfituar nga këto kontrata të dyshimta është edhe Agani LTD ku ka punuar për një kohë të gjatë vetë ministri Arben Vitia i Vetëvendosjes”.

“Si shpjegohet që në kushtet kur Kosova ka 109 kompani me licencë importimi të barnave e pajisjeve shëndetësore, ministri Vitia i Vetëvendosjes ia ka dhënë tenderin pikërisht kompanisë për të cilën ka punuar? Si shpjegohet që, vetëm gjatë muajit prill, një kompani e vetme ka marrë 10 kontrata me total prej 2.1 milionë euro në formën e kontratave të negociuara pa garë të hapur? Këto pyetje kanë veç një përgjigje – hajni”.

“Jo vetëm që këto tendera janë dhënë shpejt, fshehtë, pa konkurrencë dhe në mënyrë abuzive, por për produktet e blera janë paguar çmime tepër të fryra. Bëhet fjalë për të njëjtin abuzim që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë edhe në qeverisjen e saj në Prizren. Një maskë e thjeshtë e tillë që nëpër dyqane kushton 50 cent, në kontratat e ministrit të Vetëvendosjes është mbi 7 euro”.

“Unë si mjek i ri, që tash e sa javë jam i angazhuar si vullnetar në luftën kundër koronavirusit duke shërbyer në pikën e Hanit të Elezit, ndihem tejet i fyer dhe i revoltuar, që pandemia po përdoret për të fshehur një aferë korruptive prej miliona eurosh. Ndërkohë që qindëra mjek, infermierë e të tjerë zyrtarë janë duke luftuar në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit”.

“Ndërkohë që gjithë shoqëria është angazhuar kundër pandemisë. Qeveritarët e Vetëvendosjes janë duke bërë korrupsion. Sikur mos të mjaftojë vonesa, neglizhenca, mangësia e papërgjegjshmëria me të cilën ministri i shkarkuar i Vetëvendosjes, ka menaxhuar luftën kundër koronavirusit, tanimë po përballemi edhe me evidenca të qarta për korrupsion masiv”.

“Këtë qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës e ka kapur tashmë , dy herë në flagrancë duke mashtruar në mënyrë të turpshme në një situatë kaq të rëndë të pandemisë. Së pari mashtroi për vendimin e strukturave paralele për karantinimin e dy komunave të veriut dhe së dyti për ardhjen e 7000 testeve. Ministri i shkarkuar i shëndetësisë, Vitia i Vetëvendosjes nuk do të mbahet mend vetëm për devetë dhe gjunjëzimin ndaj Serbisë, por edhe për afera korruptive milionëshe”, tha ai.

Asnjë koment

Comments are closed.