PDK: Manipulimi i Zemajt me udhëzimin për çmimin e barnave do t’u kushtojë qytetarëve
LPartia Demokratike e Kosovës ka kritikuar dy vendimet e fundit të ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj për udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave. Vendimin për shfuqizim të këtij udhëzimi, Uran Ismaili nga PDK-ja e ka cilësuar si dhënie e hapësirës për krim e korrupsion, ndërsa anulimin e të të njëjtit vendim dhe nisjes së procesit për plotësim-ndryshim Ismaili e ka quajtur “blerje kohe, që do të mund të shfrytëzohet për abuzim me çmime”.
“Sot jam këtu, që me shqetësim të madh, ta ngre zërin për një temë që është e të gjithëve, pa marrë parasysh bindjet politike. Jam këtu për një çështje tronditëse – që duhet të na mobilizojë të gjithëve. Ministri Armend Zemaj dje i ka dhënë hapësirë krimit dhe korrupsionit në shëndetësi, duke e shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave. Pas presionit publik, Zemaj ka shfuqizuar sot vendimin e djeshëm të tij, duke krijuar një ekip të ri për ta ndryshuar këtë Udhëzim, i cili ishte hartuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe nën mbikëqyrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Krijimi i një ekipi të ri është vetëm një blerje kohe, e cila do të mund të shfrytëzohet nga kompanitë për abuzim me çmimet e barnave”, ka thënë ai.
Sipas Ismailit, “ky manipulim do t’u kushtojë qytetarëve tanë, të cilët do të vazhdojnë të blejnë barna me çmime më të shtrenjta se qytetarët e shteteve përreth”.
“Anulimi një herë, e pezullimi tash, i Udhëzimit që rregullon dhe ulë çmimet e barnave, është fitore e interesave të grupeve kriminale që dëshirojnë të pasurohen në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Është kthim prapa në shëndetësi, është varfërim i qytetarit dhe është pajtim që paratë e taksapagueseve të mos investohen, por të keqpërdoren”, është shprehur tutje Ismaili.
Ismaili ka thënë se në Kosovë për 20 vjet janë blerë barnat më shtrenjtë sesa çmimet reale të barnave. Ai ka thënë se paraja publike është keqshfrytëzuar e se miliona euro u janë dhenë kompanive “të cilat nuk kanë pasur për qëllim ofrimin e produkteve më cilësore me çmime më të lira, por pasurimin brenda natës dhe marrjen e kontratave milionëshe”.
Sipas tij, ky udhëzim administrativ, i nënshkruar nga po ai, më 2019, “ndalonte abuzimin me çmimet e barnave”. Ai ka kërkuar nga Qeveria të jetësojë Udhëzimin Administrativ e të mos “i japë krahë krimit”.
“Ky Udhëzim që ndihmoi në ndaljen e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka ruajtur xhepin e qytetarëve dhe ka kthyer dinjitetin e farmacistëve tanë. Prandaj, sjellja e Ministrit Zemaj ndaj këtij Udhëzimi është një fitore e rrjeteve kriminale dhe e grupeve të interesit. Kërkoj nga Qeveria që urgjentisht ta jetësojë Udhëzimin Administrativ, të nënshkruar në vitin 2019, e të mos lejohet të shfrytëzohet pandemia për t’i dhënë krahë krimit”, ka deklaruar Ismaili.