PDK në Prizren me homazhe në Ditën e Dëshmorëve

Me rastin e 15 shtatorit, Ditës së Dëshmorëve në komunën e Prizrenit, nën organizimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, ka pasur disa aktivitete.
Në komunikatën e PDK-së, thuhet se me fillim në ora 10:00 është bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, për të vazhduar te shtatorja e Ismail Kryeziut në Arbanë, pastaj te Monumenti i Lirisë-Remzi Ademaj, tutje tek Ismet Jashari-Kumanova, pastaj tek Heroi Xhevat Berisha dhe në fund te Heroi Pal Paluca.

“PDK, dega në Prizren, uron të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit, për këtë ditë me karakter historik, ku sot nderohet sakrifica e të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

PDK, në Prizren, nderon, respekton dhe përkulet para të gjithë atyre, që u flijuan ndër shekuj historikisht, deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku gjaku i Dëshmorëve, u bë gurthemel për shtetndërtimin dhe konsolidimin e shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.