Pensionohet krijuesi e profesori prizrenas, Ilam Berisha
Pas angazhimit 45 vjeçar, është pensionuar Ilam Berisha, krijues dhe njëherësh profesor në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Ymer Prizreni”.
Disa nga librat e botuara të tij janë: Aromë poetike – poezi, Masakra e Tusuzit (bashkautorësi me G Ajgerajn)-monografi, pastaj Ditari i luftëtarit – novelë, Krimet serbe në Lokalitetin e Vërrinit -monografi, etj.
Berisha ka punuar 7 vjet si lektor në Komunën e Prizrenit dhe ka qenë drejtor në shfmu “Xhevat Berisha”, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Në një postim në “facebook” dedikuar kësaj dite, ndër tjera ai ka shkruar për përjetimet duke theksuar se nuk do ta ndërronte këtë profesion.
“Nga sot, hyra në fazën e një jete, ndoshta pak më ndryshe, pra u pensionova. Ditarin, të cilin e kisha mjetin e përditshëm profesional, nën ndikimin e emocioneve, që sigurisht do të më marrë malli, e përshëndeta përfundimisht.
Po të ishin edhe një mijë zanate tjera, dhe po të kthehesha sërish nga fillimi, përsëri do ta zgjedhja këtë profesion, sepse për mua, ishte dhe do të mbetet zanat dhe profesion i shenjtë.
Punën me nxënës e kam filluar në vitin shkollor 1979/80. Nuk do të përshkruaj përballjet e rrugëtimit nëpër vite e dekada, sepse, janë të njohura përjetimet për të gjithë ata që kanë kapërcyer gjysmëshekullin, para luftës dhe pas. Një gjë dihet: nuk jemi dorëzuar kurrë, dhe kemi qëndruar armatë e fuqishme përballë vështirësive që kemi rrugëtuar”.
Angazhimi i tij është vlerësuar edhe nga udhëheqësit e shkollës, “Y. Prizreni”, prej të cilës edhe doli në pension. /Gazeta e Prizrenit