23-04-2024

Për dy vjet, asnjë seancë gjyqësore për mbylljen e transitit në Prizren, interesohet Haradinaj

Që dy vite nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore për rastin e bllokimit të rrugës së transitit të ri në Prizren, ndërkohë që për arsyet e mbylljes së saj dhe për atë se çfarë është bërë rreth hapjes, njoftohet se ka kërkuar informacion Kryeministri Ramush Haradinaj, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Prizrenasit, por edhe shoferët e viseve të tjera, që në këtë pjesë u bie të kalojnë shpesh, më kot i janë gëzuar rregullimit të rrugës së re transitore, që lidh magjistralen për në Prishtinë me atë për Gjakovë.

Investimi i bërë nuk është funksionalizuar, pasi edhe tri vjet pas përfundimit, rruga e re transitore, që konsiderohet si kyçe për shkarkimin e trafikut në qytet, mbetet e mbyllur nga një shtëpi banimi në pjesën tek hyrje-dalja e Arbanës.

Rasti i segmentit me ka katër korsi është në Gjykatën Themelore  (GJTH) në Prizren.  Deri tash janë mbajtur vetëm dy seanca dhe atë para dy vitesh. Prej atëherë nuk ka ndonjë datë se kur do të rifillojë.

Zëdhënësja e GJTH-së, Afërdita Kicaj tha se seanca e parë është mbajtur me datën 04.07.2016 dhe  e njëjta është shtyrë me datën 12.07.2016 sepse kundër propozuesi  (ish pronari) është obliguar që në afat sa më të shkurtër ta sjell aktvdekjen për ish-pronarin M. A. Kryeziu apo aktvendimin e trashëgimisë, i cili është bazë për vazhdimin e procedurës së mëtutjeshme lidhur me këtë çështje.

“Seanca e radhës do të caktohet me kërkesë të njërës palë në procedurë pasi që të parashtrohen provat e kërkuara (Aktvendimi Trashëgimisë)”, tha ajo.

“GazetaePrizrenit.net” një ditë më parë, si temë kryesore ka pasur çështjen e mbylljes së transitit dhe për atë se çfarë ka ndërmarrë pushteti aktual për hapjen e saj.

Për këtë çështje, njoftohet se tashmë është interesuar edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka kërkuar nga vartësit e tij në Prizren informacione për arsyet e zvarritjes së lëndës.

Këshilltari për reforma shtetërore në Zyrën e Kryeministrit, Ilir Baldedaj njëherësh shef i grupit të anëtarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ka thënë se Kryeministri është interesuar personalisht që sa me shpejt ta zgjidh këtë çështje, duke parë se institucionet lokale janë vonuar në këtë drejtim.

“Pasi ta ketë një pasqyrë të qartë për këtë rast, sigurisht që Kryeministri do të dalë me propozim konkret për ta bërë funksionale atë rrugë”, ka thënë ai përcjell “GazetaePrizrenit.net”

Në anën tjetër deklarimet e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, se dy herë ka pasur takime me kryetarin e Gjykatës Themelore në Prizren, prej të cilit ka kërkuar që lënda e transitit të trajtohet me urgjencë, i mohojnë zyrtarët e Gjykatës.

Zëdhënësja Kicaj, ka thënë se kryetari i GHTH-së, Ymer Hoxha nuk ka pasur ndonjë takim me kryetarin Haskuka sa i përket rastit në fjalë.

E derisa rruga e re transitore mbetet e bllokuar, shoferët e automjeteve transportuese dhe të tjerët që janë transit detyrohen të kalojnë në transitin e vjetër, tashmë të deformuar duke përshkuar një distancë shumë më të largët ose të futen nëpër qytet, duke e ngarkuar edhe më shumë trafikun./GazetaePrizrenit.net/

Në linkun e mëposhtëm shkrimi i djeshëm për çështjen e transitit:

​ Transiti i bllokuar në Prizren, çka po ndërmerr pushteti për zhbllokim?

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.