03-12-2024

Për mungesë në Gjykatë urdhërohet arrestimi i të akuzuarit V. Hoxha

Mungesa e Valon Hoxhës, i cili akuzohet për kanosje ndaj të dëmtuarit Mirfat Xhoxhaj, është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj tij, e paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Derisa pritej që të fillonte seanca e shqyrtimit fillestar në këtë rast penal, i akuzuari nuk është paraqitur në sallën e gjykimit, andaj gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha, ka njoftuar se në mungesë të kushteve ligjore seanca nuk do të mbahet.

Ndërsa, Krusha, ka thënë se për të akuzuarin ekziston një urdhër arrest që nga 3 gushti 2018, pasi që i njëjti nuk i është përgjigjur vullnetarisht thirrjeve të gjykatës, por Policia e Kosovës nuk ka arritur ta zbatojë ende urdhrin në fjalë.

Seanca e radhës, në këtë çështje penale, do të mbahet pasi që të sigurohet prezenca e të akuzuarit në fjalë nga ana e policisë.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me anë të së cilës i pandehuri Valon Hoxha, akuzohet se përmes mesazhit në rrjetin social “Facebook” ka kanosur me vdekje të dëmtuarin Mirfat Xhoxhaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hoxha, i ka shkruar të dëmtuarit Xhoxhaj se nëse vërtetohet se ai e ka kallur lokalin “Pojata” në Prizren, do të jetë i vdekur dhe se nuk ka punë shteti në këtë rast por do ta zgjidhin me burra këtë punë, me ç’rast i ka shkaktuar viktimës frikë, ankth dhe pasiguri./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.