26-04-2024

Përmbyllet me sukses festivali folklorik “Anadrinia Jehon 2023”

Festivali i folklorit ,,Anadrinia jehon” që u mbajt në fshatin Dejnë të Rahovecit më 11, 12 dhe 13 maj, përfundoi me sukses të plotë.

Në edicionin e njëzet e dytë morën pjesë shtatëmbëdhjetë grupe garuese nga vise të ndryshme shqiptare. Në skenën madhështore të festivalit u paraqitën grupe e artistë nga vise të ndryshme shqiptare, duke shpalosur vlerat e trashëgimisë kulturore të zonave përkatëse të trojeve etnike. Pjesëmarrja e artistëve nga Shkupi, Tirana, Fieri, si dhe e grupeve nga zona të ndryshme të Kosovës, ia shtuan koloritin këtij festivali me veshjet tradicionale, me lojën dhe ritet e veçanta ia shtuan madhështinë kësaj skene të folklorit burimor.

Juria profesionale, në përbërje të së cilës kishte njohës e profesionistë të kulturës popullore, ndanë çmime, dekorata e mirënjohje për individët më të dalluar dhe grupet më të kopletuara artistikisht. Çmimin e parë të festivalit e mori me meritë Qendra Kulturore Artistike ,,Kaçaniku”, vendin e dytë e ndanë shoqëritë kulturore ,,Anamorava” nga Vitia dhe ,,Bresana”. Në vendin e tretë u renditen ansambli “Deçani” dhe ,,Bajram Curri” nga Krusha e Madhe. Çmimin e solistit më të mirë “Muhamet Malsori” e fitoi këngëtarja Merita Sahiti nga Vitia. Me çmimin special të festivalit juria e nderoi grupin polifonik ,,Çamëria” nga Fieri.

Juria ndau edhe shumë çmime e vlerësime për grupet dhe individët më të dalluar.

Vlerësimet e përgjithshme të opinionit ishin pozitive për mënyrën e organizimit, përgatitjen e skenës madhështore, si dhe paraqitjen skenike, ishin kryesisht pozitive. Ndër këto vlerësime ishte edhe fakti se po ndodh ndërrimi i natyrshëm i gjeneratave dhe se në skenat e festivaleve kombëtare do të shohim artiste e artistë të rinj, gjë që është premtuese për të ardhmen e kulturës tonë kombëtare.

Asnjë koment

Comments are closed.