23-11-2024

Peticioni i SBASHK-ut, lidhur me ligjin për pagat, pritet të çohet në Kushtetuese

Me rastin e pezullimit të përkohshëm të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese sipas kërkesës së Avokatit të Popullit, ligj, i cili do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, pati shumë reagime dhe pakënaqësi nga sindikatat e disa institucioneve publike.

Reagime të menjëhershme kishte nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, të cilët e filluan me anë të nënshkrimit të një peticioni kundër vendimit të pezullimit të ligjit të pagave dhe me këto nënshkrime do t’i drejtohen Qeverisë në detyrë dhe Avokatit të Popullit.

 

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, thotë se nënshkrimet e peticionit kundër vendimit për pezullimin e Ligjit të pagave janë duke u mbledhur dhe se shumica e komunave i kanë dorëzuar. Ata kërkojnë nga Avokati i Popullit, që në emër të gjithë atyre mijëra nënshkrimeve t’i drejtohet kushtetueses që ta pezullojë, më saktë ta anulojë vendimin që e ka miratuar për pezullimin e Ligjit të pagave deri në fund të muaj mars, ngase sipas tij, ky afat konsiderohet shumë i gjatë.

“Kishte telashe dhe shqetësime të mëdha, me rastin e pezullimit të ligjit për paga nga kushtetuesja. Ne biseduam me anëtarët tanë dhe ata mbase duke qenë të vetëdijshëm karshi situatës, lindi një ide spontane që t’i mbledhim nënshkrimet dhe t’i drejtohemi edhe Qeverisë në detyrë, edhe Avokatit të Popullit, që ai ashtu si ka vepruar me ato ankesat që i kishte 35, të veproj njëjtë edhe me ankesat tona, pasi që ne jemi popull, ai është avokat edhe i yni, me kërkesën që ai t’i drejtohet në emër të gjithë atyre mijëra nënshkrimeve, kushtetueses që ta pezulloj gjegjësisht ta heq, ta revokojë vendimin që e ka bërë për pezullimin e ligjit të pagave deri në funde të marsit, ngase e konsiderojmë se është një afat kogja i gjatë dhe po them te sektori i arsimit, jemi të sigurtë që as kushtetuesja nuk do të gjej diçka që është kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës. Nënshkrimet janë duke u mbledhur, shumica e komuna ve i kanë dorëzuar”, thotë Jashari.

Jashari theksoi se janë “pro” zbatimit të ligjit të pagave dhe po u kthye ligji në zero do të kemi telashe shumë të mëdha.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se e ka pranuar kërkesën e SBASHK-ut, për ndryshim kundër vendimit të përkohshëm të pezullimit të ligjit të pagave.

“Është një kërkesë që është parashtruar te ne, me nënshkrimet e peticionit që vjen nga Sindikata e Arsimit dhe nga e cila është kërkuar që ne si institucioni i Avokatit të Popullit ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese këtë kërkesë për ndryshim dhe masa të përkohshme, megjithatë është kërkesë që është përcjellur te ne dhe sipas një mandati ligjor që kemi të njëjtën gjë mundemi me e përcjell në Gjykatën Kushtetuese dhe tani më veç jemi në përgatitje për me e përcjell në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë kjo nuk e ka pengu në asnjë moment Sindikatën e Arsimit që si palë e tretë drejtpërdrejte ta përcjell këtë kërkesë te Gjykata Kushtetuese, për ne nuk paraqet problem, është një kërkesë që duhet të përcjellur në Gjykatën Kushtetuese, pastaj sigurisht që është në kompetencë të plot të kushtetueses për ta shqyrtuar”, tha Jashari.

Sipas Jasharit, duhet t’i japim hapësirë Gjykatës Kushtetueses të marrë vendimin e duhur sa i përket kësaj çështjeje./io

 

Asnjë koment

Comments are closed.