27-04-2024

Polemikat, e debate shpesh boshe, karakterizuan mbledhjen e Kuvendit të Prizrenit (Video)

Sot është mbajtur seanca e radhës së Kuvendit të Prizrenit, në të cilen ka patur polemika e debata, si dhe janë miratuar shumica e pikave të rendit të ditës.

Seanca e radhës së Kuvendit të Prizrenit, sërish ka nisur me polemika e debate herë herë boshe, në pikën e cila më së shumti merr kohë në këto seanca, atë të pyetjeve dhe përgjigjeve të kuvendarëve. Shefi i GK të PDK-së, Simir Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ilir Baldedaj, parashtruan pyetje për udhëheqësit e drejtorisë së Urbanizmit respektivisht atë të Inspektoratëve, rreth çështjes së lejeve të ndërtimit, numrin e objekteve të rrënuara gjatë vitit të kaluar.

Lidhur me këto pyetje të parashtruara, u përgjigjen pjesërisht drejtori i Urbanizmit, Fatmir Memaj dhe ai i Inspektoratëve, Islam Thaçi, të cilët thanë se përgjigjet e plota do t’ua japin me shkrim. Pyetje të shumta kishte në adresë të drejtorit të Shëndetësisë, Visar Shehu, rreth dy konkurseve për punësim në kujdesin parësor shëndetësor. Biles, akuza , për proces të parregulltë pati edhe nga anëtarë të Kuvendit nga radhët e partisë e cila udhëheq me Prizren.

Mirëpo, drejtori Shehu, tha se procesi ka qenë transparent, dhe nuk kemi gisht fare në vlerësimin dhe pranimin e kandidatëve, të cilët janë pranuar nga komisioni përkatës. Kurse, rreth kësaj pike , është treguar e ashpër ndaj ekzekutivit për neglizhencë të përgjigjeve me shkrim ndaj pyetjeve të kuvendarëve, anëtarja e LVV-së, Dafina Alishani.

Pas kësaj pike, kuvendarët kanë diskutuar në tone më të buta si dhe kanë miratuar pikat e rendit të ditës që kishin të bënin me themelimin dhe emërimin e komisionit për plotësim ndryshimin e emërimit të rrugëve, shesheve dhe lagje të qytetit, pikën rreth themelimit të Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit e të tjera./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.