27-04-2024

Policët në detyrë e qytetarët të ndarë rreth vendimit për kufizim të lëvizjes (Video)

Secili policë me mirësjellje iu kërkonte qytetarëve që mos të dalin në këtë periudhë kohore, por një pjesë e madhe e tyre thonë se janë furnizues për mallra dhe produkte të ndryshme.

Dialogu polici-qytetari

-I nderuar jeni të informuar për vendimin e qeverisë për ndalimin e qarkullimit të automjeteve.

-Jo jemi furrtar, veç sa i përfunduam bukët, po shkojmë e marrë miell diku, s’pe di.

-Në rregull i nderuar mundemi me i përfundu prej orës 06:00 deri në 10:00.

-Dikush po thotë po, dikush jo. S’po dihet.

-Vendimi i qeverisë është që prej 06:00 deri në 10:00 lejohet prej 10:00 deri në 16:00 nuk lejohet lëvizja e qytetarëve e as veturave. Edhe prej 16:00 deri 20:00 lejohet. Iu kisha lut të respektoni këtë orar të na ndihmoni edhe neve. Kësaj here veç po iu paralajmërojmë.

E qytetari, Bashkim Duraku i cili ishte ndaluar nga policia thotë për KosovaPress se vendimi i marrë nga qeveria është i mirë, por ka konfuzion institucional për zbatim ose jo të tij.

Në mes borës së dendur që po bie këtë mesditë rrugët e kryeqytetit ishin të zbrazëta. Pak kush shihej duke lëvizur. Qytetarët u shprehën se duhet të respektohet çdo vendim që parandalon përhapjen e mëtejshme të virusit COVID-19.

Përparim Karagja thotë se arsyeja e vetme që ka dal në këtë kohë është marrja e ndihmës sociale.

“Arsyeja është ndihma sociale dhe me të furnizohem me gjëra ushqimore dhe të shkoj të qëndroj në shtëpi…për sa e ka qit qeveria duhet të respektohet se nuk kemi zgjidhje tjetër”, thotë ai.

Ndryshe prej këtij, shprehet Idriz Shabani, i cili thotë se në Kosovë nuk duhet të jetë në funksion ora policore.

“Unë nuk e di çfarë ore policore duhet me pas në Kosovë. Kosovën time. Luftë nuk ka, pandemi ka. Duhet të luftohet pandemia, por jo me qitë orë policore. Kosova nuk është në luftë, por është në liri…jo s’do ta respektoj, orën policore hiç le të marrin le të çojnë në burg, unë nuk e respektoj”, thotë ai.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID 19, qeveria Kurti ka marrë vendim të kufizojë lëvizjen e qarkullimit të qytetarëve në periudha të caktuara kohore. Vendim ky që nga presidenti, Hashim Thaçi u konsiderua si jokushtetues.

Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një komunikata për media ka bërë të ditur se nuk komenton apo interpreton asnjë vendim, por ka shtuar se PK-ja është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha vendimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas detyrës dhe autorizimeve policore i zbaton.

Asnjë koment

Comments are closed.