03-05-2024

Polici prizrenas i akuzuar për keqtrajtim, kundërshton aktakuzën

Hamiti ka kundërshtuar provat dhe ka kërkuar nga gjykata që të hedhet poshtë aktakuza ndaj tij, me arsyetimin se pretendimet e prokurorisë nuk janë të vërteta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Besim Susuri ka kërkuar nga gjykata që të refuzohet kërkesa e të pandehurit dhe të konfirmohet aktakuza në këtë rast, pasi sipas tij ka prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se i njëjti është fajtor për veprimet e pretenduara.

Lidhur me konfirmimin ose hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Hamitit, gjykatësi Fatmir Krasniqi tha se do të vendosë jashtë seancës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngritur vitin e kaluar, i akuzuari Halim Hamiti pretendohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamiti ishte duke e kryer punën e tij si zyrtar policor, përderisa i dëmtuari Kastriot Hoxha, kishte shkuar në stacionin policor “Alfa” në Prizren, për të dhënë një deklaratë me rastin e vjedhjes në dyqanin ku i njëjti punon si menaxher.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Hoxha e kishte parkuar automjetin e tij brenda në oborrin e stacionit policor, e më pas i pandehuri Hamiti, i kishte thënë se nuk lejohet parkimi i veturave civile aty, duke kërkuar nga ai që ta largonte.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari e largon automjetin e tij dhe e parkon jashtë oborrit të stacionit policor, në afërsi të portave hyrëse, ku kishte edhe vetura të tjera civile. Mirëpo, sipas aktit akuzues, i pandehuri del me nxitim dhe i kërkon që edhe nga aty ta largojë veturën, me ç’rast përderisa i dëmtuari e pyet se ku ta largojë, i pandehuri e nxjerrë jashtë duke e përdorur forcën, dhe gjatë shoqërimit për në stacion, të njëjtin e godet me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar frikë dhe lëndime të lehta trupore. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.