26-04-2024

Policia në Beograd thotë se ka marrë masa mbrojtëse për furrtarin shqiptar

Drejtoria e Policisë së Beogradit pohon të ketë ndërmarrë masa përkatëse me qëllim të mbrojtjes personale dhe të pronës së Mon Gjurajt me familjen e tij, pronar i furrës në Borçe të Beogradit. Kështu raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Të shtunën që e lamë, dhjetëra djathtistë, siç i cilëson MPB e Serbisë qytetarët e Beogradit që bllokuan furrën e Gjurajt, ngjitën në muret e saj letra me tekste “Kosova është Serbi” dhe u bën thirrje qytetarëve të mos blejnë më bukë në furrën e shqiptarit.

Ata lanë në pultin para derës së furrës një kokë derri, ndërsa në rrjetet sociale u publikuan shumë mesazhe fyese e kërcënime ndaj furrëtarit shqiptar dhe familjes së tij.

Autoritetet serbe thanë se e gjitha kishte ndodhur pasi në Facebook ishte publikuar një fotografi e vjetër dy vjet, në të cilën njëri nga të punësuarit në këtë furrë dukej me simbolin kombëtar shqiptar.

Vetë furrëtari Gjuraj i ka thënë REL-it se kishte frikë për sigurinë dhe jetën e vet dhe të familjes.

Asnjë koment

Comments are closed.