Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje rryme, akuzohet se i ka shkaktuar dëm KEDS-it në vlerë prej 92 euro

Malishevë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Naim Krasniqi, është deklaruar fajtor në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari Krasniqi, e pranoi fajësinë për akuzën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është e vërtetë që më kanë nxënë me kabllo, por s’kam pas mundësi për ta paguar borxhin, për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mu ka dashtë mu lidhë në rrjetin elektrik dhe e di që kam bërë gabim”, tha i akuzuari Krasniqi.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që gjatë matjes së dënimit, të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe t’i shqiptohet një dënim sa më i butë.

Kurse përfaqësuesja e të dëmtuarës KEDS, Arjana Mula, ka deklaruar se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, duke thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe kërkon kompensimin e dëmit.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk u kundërshtua as nga prokurori Hasanaj.

Pas këtyre deklarimeve, pranimi i fajësisë u aprovua edhe nga ana e gjykatësit Lulzim Paçarizi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 19 maj 2021, në ora 10:00.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 24 shtator 2020, Naim Krasniqi, po akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 3 shkurt 2020, në shtëpinë e tij, në fshatin Drenoc, Komuna e Malishevës, me qëllim të fitimit në mënyrë të paautorizuar, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur jashtë njehsorit direkt në rrjetin elektrik, me çka e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS – Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 92.73 euro.

Sipas aktit akuzues, me këto veprime i akuzuari Krasniqi ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi