23-04-2024

Presidenti kritikon Specialen: Ma prenë rrugën, publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar bombë mediatike dhe skandal i madh

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kritikuar Gjykatën Speciale që zgjodhi publikimin e propozim-aktakuzës në kohën kur ai ishte nisur drejt Shtëpisë së Bardhë në vizitën e planifikuar më 27 qershor në Uashington.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë”, tha Thaçi në adresimin e parë para qytetarëve.

I pari i shtetit të Kosovës mendon se publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar ishte linçim publik dhe skandal i madh.

“Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik”, theksoi ai.

“Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”, shtoi Thaçi.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë.

Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.

Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë.

Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë.

Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.

A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë.

Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës.

Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.

Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?

Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.”, theksoi ai.

 

Asnjë koment

Comments are closed.