Prizren: Babë e bir shpallen fajtor për shkak të përdorimit të armës dhe armëmbajtjes pa leje

Gjykata Themelore në Prizren, sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve Adnan Shalaj dhe Elmidin Shalaj, babë e bir,  për shkak të veprave penale përdorimi i armës, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Në fillim të kësaj seance, prokurori Metush Biraj deklaroi se është arritur marrëveshja mbi pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve Adnan dhe Elmidin Shala, duke i propozuar gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohen dënimet e rekomanduara.

Mbrojtësi i të akuzuarit Adnan Shalaj, avokati Hazer Susuri deklaroi se marrëveshja është lidhur në harmoni me dispozitat ligjore, duke kërkuar që e njëjta të aprovohet nga gjykata.

Lexo edhe:

Prizreni nën mesatare edhe për kujdesin primar shëndetësor (Dokument)

I akuzuari Adnan Shalaj e mbështeti në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Susuri.

Lidhur me këtë, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Elmidin Shalaj, avokati Avni Berisha deklaroi se kanë ardhur në përfundim për pranimin e fajësisë, duke theksuar se me prokurorin Biraj, kanë lidhur marrëveshje që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet minimumi i dënimit, me arsyetimin se i mbrojturi i tij, i akuzuari Elmidin është i moshës së re  dhe se ka premtuar që nuk do të bie në ndesh me ligjin.

22.9.

I akuzuari Elmidin Shala deklaroi se pajtohet në tërsi me fjalët e avokatit Berisha.

Pas kësaj, gjykatësja Teuta Krusha mori aktvendim që kjo marrëveshje të aprovohet në tërësi me të gjitha elementet e saj, ku pas kësaj shpalli aktgjykim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Adnan Shala, për veprën penale armëmbajtje pa leje, gjykata i shqipton dënim  me gjobë, në shumën prej 1 mijë euro, i cili dënim duhet të paguhet në afat ligjor.

Nëse i akuzuari nuk mund ta paguaj dënimin në fjalë, atëherë për çdo 20 euro të dënimit me gjobë do t’i zëvendësohet për nga një ditë burgim, thuhet ne aktgjykim.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Elmidin Shala, për veprën penale përdorim i armës, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 muajve, i cili dënim do të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.

Po ashtu, të akuzuarin Elmendin, për veprën penale armëmbajtje pa leje, gjykata e ka dënuar me 500 euro, ku në këto rrethana gjykata shqiptoi dënim unik në shumën prej 1 mijë euro euro.

Nëse i akuzuari nuk mund ta paguaj dënimin në fjalë, atëherë për çdo 20 euro të dënimit me gjobë do t’i zëvendësohet për nga një ditë burgim, thuhet në aktgjykim.

Pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata, prokurori Metush Biraj, të akuzuarit Adnan dhe Elmidin Shala, së bashku me mbrojtësit e tyre, avokatët Hazër Susuri dhe Avni Berisha, deklaruan se heqin dorë nga e drejta e ushtrimit të ankesës, duke u bazuar në këtë fakt, aktgjykimi në fjalë do të jetë i plotfuqishëm që në momentin e shpalljes së tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 24 gusht 2020, të dispozitivit të parë të aktit akuzues, Adnan Shala ka mbajtur në pronësi në mënyrë të kundërligjshme  armë, ashtu që nga data e pavërtetuar e deri 25 qershor 2020, në shtëpinë e tij, në fshatin Nashec të Prizrenit, ka poseduar një pistoletë TT RSFJ, me mbishkrimin 7.32 mm, M57,  me numër serik 2170, një karikator të së njëjtës pistoletë, si dhe 7 fishek.

Po ashtu, është gjetur edhe një pistoletë Cervena Zastava, kalibri 7.65 mm, model 70, made in Yugoslavia, me numër serik a-221137, me një karikator me 5 fishek.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, në shtëpinë e të akuzuarit Adnan Shala është gjetur edhe një pistoletë ECOL Special 99, Kalibri 9 mm P.A.K, me numër serik EV-139045, me një karikator, një paketim me 35 fishek, si dhe një paketim me 13 fishek, e po ashtu edhe një karikator të pistoletës me 27 fishek, një paketim me 16 fishek me mbishkrime 7.65 Br.

Po ashtu, edhe 6 fishek të kalibrit të panjohur , 19 fishek me mbishkrime në bazë 7.65 dhe 2 fishek të pushkës së gjuetisë, thuhet ne aktakuzë.

Me këto veprime, i akuzuari Adnan Shala ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Elmidin Shala po akuzohet se ka përdorur armën në atë mënyrë që në muajin tetor 2018, në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Nashec të Prizrenit, gjatë një ahengu familjar, Elmedini ka shkrepur disa herë me armën e tipit “ Cervena Zastava” kalibri 7.65 mm, modeli 70, e prodhimit Jugosllav.

Me këto veprime, i akuzuari Elmidin Shala ka kryer veprën penale përdorimi i armës.

Ndërsa në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se Elmidin Shala në kohë dhe vend të njëjta, sipas dispozitivit të dytë, ka poseduar në mënyrë të kundërligjshme armën pistoletë “Cervena Zastava” dhe një armë të gjatë dhe pushkën e gjuetisë. Modeli IZH-27-EM, Baikal Rusia.

Me këto veprime, i akuzuari Elmidin Shala ka kryer veprën penale armëmbajtje pa leje./BetimipërDrejtësi