Prizren: Deklarohet i pafajshëm ish-drejtori komunal, akuzohet se i shkaktoi dëm rreth 250 mijë euro komunës
Ish-drejtori i shërbimeve publike në Prizren, Osman Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe se buxhetit të Komunës së Prizrenit i ka shkaktuar dëm prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.
Këtë deklarim. Krasniqi e bëri në Gjykatën Themelore në Prizren të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, prokurori Sefa ka thënë se në dispozitiv të aktakuzës si palë e dëmtuar është cekur Komuna e Prizrenit, andaj ka propozuar që në seancat e radhës të ftohet përfaqësuesi juridik i komunës.
Seanca e radhës në këtë rast është caktuar të mbahet më 19 janar 2023.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 9 nëntor 2022, e ngarkon Osman Krasniqin se më 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në kohë të pacaktuar, si drejtor i shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për operatorin ekonomik “Eurovia BI”, me seli në Prizren.
Sipas prokurorisë, Krasniqi akuzohet se i ka pranuar faturat dhe ka mundësuar pagesat nga pozicioni i paraparë sipas pikës C shërbime me zhavorr në vlerën prej 8.02 euro për njësinë matëse m3 në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës, në të cilin ka qenë menaxher, duke anashkaluar zyrën e prokurimit, ashtu që dëmton buxhetin e Komunës së Prizrenit për shumën totale prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.
Në aktakuzë, thuhet se me këto veprime, i akuzuari ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik me nr. 04/1-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet 04/L-237, 05/L-68 dhe 05/L-092 si dhe në kundërshtim me rregullat e udhëzuesit operativ për prokurim publik RRUPP dhe atë nenet 19, 20 dhe 61.
Krasniqi, për këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 i KPRK-së, vepër penale e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.