28-04-2024

Prizren: Dëshmitari thotë se inspektori i akuzuar për korrupsion nuk e ka dorëzuar në arkiv procesverbalin …

Dëshmitari Fail Hoxha deklaroi se me rastin e pranim-dorëzimit të lëndëve nga inspektorët, ka ekzistuar një procesverbal, mirëpo i njëjti nuk është dorëzuar në arkiv nga atëherë inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu.

Këtë deklaratë, dëshmitari Hoxha e ka dhënë të premten, në rastin ku ish-inspektori i ndërtimtarisë, Nexhmedin Musliu po akuzohet për korrupsion, pasi nuk kishte ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit paleje të bërë nga investitori Mehmet Palushi.

Lexo edhe:

Garë e “fortë” për kryetar të Prizrenit, NDS boshnjak del me kandidat

Ai shtoi se kur ka shikuar në arkiv, nuk e ka gjetur procesverbalin lidhur me pranim-dorëzimin e lëndëve si dhe po ashtu i njëjti procesverbal nuk është gjetur as në dosjen e tani të akuzuarit Musliu e as të Veron Aliut.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se është i sigurt se ky procesverbal ka ekzistuar pasi që vet me sytë e tij e kishte parë në duart e tani të akuzuarit Musliu, i cili edhe e kishte përpiluar procesverbalin dhe tha se meqenëse procesverbali nuk gjetet në arkiv, atëherë do të thotë se i akuzuari Musliu nuk e ka dorëzuar.

Pas kësaj është dëgjuar edhe dëshmitari Bashkim Krasniqi i cili deklaroi se në atë kohë ka qenë inspektor i ndërtimit dhe tha se është e vërtetë se në periudhën e vitit 2016 ka pasur ndërrim të vendeve të punës mes Nexhmedin Musliut dhe Veron Aliut.

Ai tha se lëndët e përfunduara vendosen në arkiv, ndërsa të papërfunduarat ndahen dhe dorëzohen te inspektori i zonës së përgjegjësisë i cili vazhdon me ato punë dhe se procedura e dorëzimit të lëndëve bëhet përmes procesverbalit, i cili nënshkruhet nga dy inspektorët që dorëzojnë dhe pranojnë lëndët.

Pas kësaj janë administruar prova të reja për të cilat prova, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi tha se do të vendos më vonë, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 23 shtator 2021, në ora 13:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 për të cilën vepër penale parashihet dënim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./ BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.