Prizren: Detaje si u kërcënuan me jetë ushtarët e KFOR-it në fshatin Malësi e Vrrinit (ish-Lubiçevë)
Policia ka dhënë disa detaje për Gazetën e Prizrenit, rreth rastit të kërcënimit me jetë, të disa pjesëtarëve të KFOR-it, që ka ndodhur sot në fshatin Lubiçevë, raporton Gazete e Prizrenit.
Sot, me 26.02.2024 rreth orës 10:10, Policia ka marrë informatën se në fshatin Lubiçevë, dy persona të dyshuar i kanë kanosur pjesëtaret e KFOR-it italian, të cilët ishin për vizite në atë fshat.
Zëdhënësi rajonal i Policisë, Shaqir Bytyqi konfirmoi për Gazetën e Prizrenit se patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët të cilët kanë deklaruar se përderisa ishin duke qëndruar në një lokal në fshat, të dyshuarit afrohen fillimisht duke i ofenduar e me pas njëri prej tyre i ka kanosur me vrasje duke ju thënë: “se do shkoj në shtëpi të marr Kallashnikovin dhe do ju vras të gjithëve”.
Malësia e Vrrinit (ish-Lubiçeva)
Sipas raportit të dyshuarit kanë kërcënuar duke u thënë ushtarëve se “s’keni çka lypni këtu, shkoni në veri!”, e më pas janë larguar me veturë në drejtim të Prizrenit.
Njëri nga të dyshuarit, i lindur më 1962 është arrestuar nga policia, ndërsa i dyshuari i dytë. lindur me 1992 është identifikuar dhe arrestuar më vonë.
Janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, ku në njëren është gjet një pushkë dhe municion.
Pas intervsitimit, me urdhër të prokurorit të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe: