15-05-2024

Prizren: Dhunohet një e mitur nga dy burra, një tjetër dyshohet se e përdori për prostitucion

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të arrestuarit po dyshohen për dhunimin dhe mundësimin apo detyrimin për prostitucion të një vajze 15-vjeçare.

Cilat janë detajet e këtij rasti të trishtë?

Tre të dyshuarit, me një plan të detajuar, dyshohet se fillimisht i kanë ofruar ‘ndihmë’ viktimës, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj para disa ditësh, duke e marrë me veturën e tyre dhe duke i premtuar strehim.

Gjatë kësaj periudhe, të njëjtit e kanë dërguar në një motel, ku dyshohet se dy prej tyre kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, edhe pse kanë qenë në dijeni për moshën e saj.

Për dhunimin e 15-vjeçarës dyshohet se ndihmoi i dyshuari i tretë, që sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se e ka organizuar dhe ndihmuar viktimën për qëllime të prostitucionit – duke kryer kështu veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

Si u kapën të dyshuarit nga Policia?

Kontrollet e Policisë mbrëmë pas mesnate, te Tranziti i Vjetër në Prizren u bënë ‘sebep’ që të zbulohej rasti, pasi vetura në të cilën ndodheshin tre të dyshuarit dhe viktima u ndalua për kontroll.

Të dyshuarit fillimisht tentuan t’ia hedhin Policisë, duke u prezantuar si familjarë mes vete, por tentativa për t’i mashtruar iu dështoi dhe u ngritën dyshimet se deklaratat e tyre janë të rrejshme.

Sipas të njëjtave burime, pasi u zbulua se asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare me tjetrin, grupi u shoqërua për në stacion policor, teksa në anën tjetër, vajza është dërguar në Spitalin Rajonale për ekzaminimet e nevojshme.

Ndaj tre të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për dy vepra penale “Dhunimi” e “Mundësimi apo detyrimi në prostitucion”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit./GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.