27-07-2024

Prizren: Dy dëshmitarë dëgjohen në gjykimin ndaj ish-inspektorit të ndërtimit

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimi kryesor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim detyre.

Inspektori Musliu, akuzohet se nuk e ka inspektuar dhe nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje nga një investitor, i cili duke ndërtuar objektin ka tejkaluar lejen për një etazhitet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, është bërë dëgjimi i dy dëshmitarëve, Islam Thaçi, drejtor i Inspektorateve në Prizren dhe Fail Hoxhaj, koordinator i Inspektorateve në këtë komunë.

Dëshmitari Hoxhaj, deklaroi se përgjegjës për zonën që është objekt i aktakuzës ka qenë inspektori Nexhmedin Musliu dhe se nuk ka pasur ndonjë vërejtje apo pakënaqësi me punën e tij.

I akuzuari Musliu, pati vërejtje se pse prokurorja Ervehe Gashi, si dëshmitar e ka ftuar Hoxhajn dhe jo Veron Aliun, i cili ka proceduar me objektin në fjalë.

Më tej, i akuzuari shtoi se Prokuroria në këtë rast ka ngritur aktakuzë pa e proceduar asnjë procesverbal të atij objekti dhe se sipas tij, Veron Aliu dhe as ish-drejtori nuk e kanë sugjeruar në mënyrë specifike që të bëjë inspektim të atij objekti.

Dëshmitari Islam Thaçi, deklaroi se objekti në fjalë është pajisur me leje ndërtimi dhe se për të ekzistojnë dokumentet zyrtare.

Ndërsa, i akuzuari përsëri kundërshtoi paraqitjen si dëshmitar të Islam Thaqit, sepse sipas tij, në kohën kur është ndërtuar ky objekt, Thaqi nuk ka qenë drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve.

Pasi përfundimit të dëshmisë së dëshmitarëve, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi palët se shqyrtimi ndërpritet dhe se seanca e radhës do të mbahet më 31 mars 2020, në ora 13:15, ku si dëshmitar do të paraqitet Veron Aliu.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.