24-04-2024

Prizren: Gjendet i vdekur një 77-vjeçar në motelin “Villa A1”, Policia nis hetimet

Vdekje të dyshimta janë cilësuar vdekjet e personave në hotele dhe motele të vendit viteve të fundit. Shkaktari i këtyre rasteve shpeshherë është besuar të jetë përdorimi i barërave dhe ilaçeve që shërbejnë për ereksion pa përshkrimin e mjekut, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot paradite në motelin “Villa A1” te Tranziti i Vjetër në Prizren, ku u gjet pa shenja jete një burrë i moshës 77-vjeçare.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se posa Policia është njoftuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes me ekipin mjekësor që kryen ekzaminimet vitale dhe u konstatua se viktima ka ndërruar jetë.

Posa janë kryer procedurat e nevojshme, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe trupi i pajetë i të ndjerit të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, viktima nuk ka pasur shenja dhune në trupin e tij, por që procesi i hetimit pritet të zbardh në plotni atë që ka ndodhur brenda motelit.

/GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.