Prizren: Gjykimi për ryshfet, rojet e pyllit dënohen me burg dhe gjobë

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë dy të akuzuarit për marrje ryshfeti, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari.

Dy të akuzuarit po ashtu janë obliguar që të bëjnë kompensimin e dëmit ndaj të dëmtuarit Fehmi Qatani në vlerë prej 100 euro.

Aktgjykimin ndaj tyre, e ka shpallur gjykatësi i kësaj çështje penale, Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se është vërtetuar se dy të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 shtator 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktit akuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhles, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Caralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në “Qafë të Duhlës”,  pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë. Tutje, në aktakuzë thuhet se përball restorantit i afrohet i akuzuari Bajraktari, duke i thënë “nëse ka para për ti dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli i cili ishte në automjet, ku ky i fundit e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në gjykatë. /BetimipërDrejtësi