Prizren: Hajnat e bëjnë qyl shtëpinë e një familje, vjedhin para e stoli – dëmi mbi 20 mijë euro
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në një shtëpi në Prizren, ku hajnat kanë vjedhur para e stoli ari, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur rreth 6 mijë euro para të gatshme, si dhe mbi 15 mijë euro stoli të ndryshme.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë kryer vjedhjen.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit./GazetaSinjali/