Inspektorët komunal të Prizrenit, gjatë ditës së sotme kanë kërkuar lirimin e objekteve në pronësi të komunës, ku veprojnë shtatë veprimtari të ndryshme. Kështu thuhet në një kumtesë të komunës, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Në kumtesë thuhet se prona publike e Komunës së Prizrenit është tjetërsuar në raste dhe mënyra të shumta. Në të kaluarën ka pasur raste kur prona publike është tjetërsuar ku palët nuk i kanë respektuar kontratat, apo edhe është lëshuar kontratë mbi kontratë si dhe raste kur prona është uzurpuar tërësisht.
“Për këtë qëllim janë krijuar komisione të cilat po e shqyrtojnë secilin rast veç e veç dhe po veprojnë konform dispozitave ligjore për kthimin e këtyre pronave Komunës. Në këtë mënyrë kemi
liruar parqe, kemi ndalur ndërtimet pa leje në pronat publike, kemi liruar objekte dhe autoparkingjet pa kontratë si dhe me kontrata të skaduara e që janë në pronësi të Komunës”, thuhet në kumtesën e komunës të publikuar edhe në faqen e saj në facebok.
Me këtë rast njoftohet se vetëm gjatë ditës së sotme, inspektorët komunal kanë kërkuar lirimin e objekteve ku veprojnë shtatë veprimtari të ndryshme për shkaqet e sipërpërmendura.
“Në Komunën e Prizrenit ka edhe shumë raste të tjera të kësaj natyre që janë në procedim e sipër e të cilat janë të trashëguara nga qeverisjet e kaluara. Komuna e Prizrenit është e vendosur që këtë proces ta çojë deri në fund për ta mbrojtur interesin qytetar”, thuhet në kumtesë.
Ndryshe, përfaqësues të menagjmentit të OJQ “Pedaks” SHPK, që menagjon me qerdhen “Yllka” në Prizren, sot kanë njoftuar se rreth orës 11.00 inspektorë komunal të Komunës të shoqëruar nga policia, i kanë kërkuar lirimin e objektit, pa dëmtuar dhe larguar inventarin, që gjendet brenda objektit. Referuar KMDLNJ-së, përfaqësuesit e kopshtit këtë e kanë vlerquajtur si ndërhyrje pa mbështetje.