26-04-2024

Prizren: Ish-inspektori i komunës tregon si ishte matur largësia e lojërave të fatit nga shkollat dhe objektet fetare

Ish-inspektori i tregut në Prizren, Fatmir Gashi, ka deklaruar se ka qenë praktikë që largësinë e objektit të lojërave të fatit, me ato shkollore dhe fetare ta matin me hapa dhe me kilometrazh të veturës.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka paraqitur mbrojtjen e tij, në rastin ku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Ai ka thënë se pasi që nuk kanë pasur asnjë udhëzim se si të bëhet matja, e kanë përdorur metodën më praktike, me hapa dhe me veturë, në ato raste kur është dyshuar se ka objekte në afërsi të pikës së lojërave të fatit.

I akuzuari Gashi, ka thënë se Ligji për lojërat e fatit parasheh që një ndër kushtet për dhënien e pëlqimit për lojërat e fatit është që objekti duhet të jetë në largësi 500 metra, prej objekteve shkollore dhe fetare, mirëpo sipas tij, gjatë verifikimeve tek objekti “Game Plus”, ai nuk kishte vërejtur ndonjë objekt shkollor a fetar në afërsi të drejtpërdrejtë me të.

“Më kujtohet rasti që me kërkesë të palës për dhënien e pëlqimit të lojërave të fatit me kolegun Besnik Krasniqi, inspektor sanitar, kemi dal në terren, kemi konstatuar kushtet minimale teknike dhe higjienike brenda lokalit, ndërsa pasi që memorandumi na ka autorizuar edhe në zbatimin e nenit 2.4 të Ligjit për Lojërat e Fatit, ku është paraparë që lokalet të mos jenë në afërsi të drejtpërdrejtë me objektet shkollore dhe fetare në largësinë 500 metra. Në rastin konkret prej lokalit kam shikuar së pari shkollat, zonat historike dhe objekte fetare, dhe drejtpërdrejtë nuk kam vërejtur ndonjë objekt.”, ka thënë Gashi.

I akuzuari Gashi, ka pranuar se ai ishte në dijeni se ekziston një xhami në pjesën “Jeni Mahallë”, në anën e kundërt, mirëpo ai tha se pasi që nuk e ka pa në mënyrë të drejtpërdrejtë ka menduar se largësia e xhamisë dhe objektit “Game Plus” ka qenë mbi 500 metra.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Skender Morina, se kur ka filluar matja e largësisë me gjeometër, i akuzuari Gashi, ka deklaruar se kjo lloj e matjes ka filluar në vitin 2018.

“Pasi që Divizioni i Lojërave të Fatit ka parë një parregullsi tek matja atëherë ka aplikuar një formë tjetër, ç’do pronar që është dashtë të pajiset me pëlqim ka qenë i obliguar të bënë matjen me gjeodet të licencuar dhe së bashku me kërkesën të dorëzon në drejtorinë tonë dhe ne kemi dalë në teren dhe kemi hartu procesverbalin”, ka thënë ai.

Ndërkohë, i akuzuari Gashi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit Ervehe Gashi, ka deklaruar se ai nuk kishte bërë matjen e largësisë në rastin konkret, pasi që me shikim vizual në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk ka parë asnjë objekt fetar, shkollor apo kulturor.

“Me termin drejtpërdrejtë e nënkuptoj atë çka shoh përpara vetës, pasi që nuk kam parë xhaminë drejtpërdrejt nuk kam përdorur asnjë metodë të matjes, as me hapa as me veturë”, ka deklaruar Gashi.

Ai i ka shpjeguar edhe trupit gjykues se pasi që në mënyrë vizuale nuk ka vërejtur se ka pasur objekt drejtpërdrejtë, ka konsideruar se edhe largësia në mesë të xhamisë në “Jeni Mahall”, dhe pikës së lojërave të fatit “Game Plus”, ka qenë mbi 500 metra, andaj sipas tij, kjo ka qenë arsyeja e vetme pse nuk është bërë matja.

Pas paraqitjes së mbrojtjes nga i akuzuari Gashi, prokurorja Ervehe Gashi, i ka propozuar trupit gjykues që t’i jepet kohë për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e prokurores, kurse fjala përfundimtare për këtë rast pritet të mbahet më 3 mars 2020, në ora 14:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.