Në një ndeshje shumë interesante, me kthesa dhe dramatike, Trepça ka mundur Bashkimin në Prizren me rezultat 85:87 (24:18, 26:22, 14:21, 21:24), në xhiron e nëntë të Prince Caffe Superligës.
Shtatë minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, por më pas vendasit u shkëputën, duke e fituar çerekun e parë me rezultat 24:18. Prizrenasit të mbështetur edhe nga tifozët vendas vazhduan me lojë të mirë, duke ngritur epërsinë deri në 13 pikë, 44:31, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 50:42.
Portokallezinjtë me një seri të suksesshme u shkëputën në 16 pikë, 64:48, dhe deri tre minuta nga fundi i periudhës së tretë po fitonin bindshëm, por më pas mysafirët ishin të jashtëzakonshëm, duke e afruar rezultatin në 64:63. Kjo bëri që dhjetë minutat e fundit të jenë shumë interesant dhe kështu edhe ndodhi. 2:21 minuta nga fundi, vendasit po fitonin 83:77, por një seri prej 0:8 e mitrovicasve bëri që të kalojnë në epërsi 83:85, ndërsa triumfuan në fund 85:87.
Te Bashkimi u dallua Altin Morina me 25 pikë, ndërsa te Trepça, Drilon Hajrizi me 24 pikë e 12 kërcime.
Prizrenasit tri fitore e gjashtë humbje, kurse mitrovicasit pesë fitore e tri humbje. /Gazeta Express/