Prizren: Ja përse kërkohet paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, kundër të pandehurve: C.C., I.R., A.I., R.D., dhe Sh.A., për shkak dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Përmes një komunikate, PTH njofton se sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që t’iu shkaktojnë dëm personave tjerë.

“Në atë mënyrë që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri me datë 25.07.2022, i pandehuri C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, e pandehura I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, i pandehuri A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, i pandehuri R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe i pandehuri Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”, përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal.

“Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtarë, në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor”, thuhet tutje.

Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 i Kodit Penal. /BD

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.