22-07-2024

Prizren: Këto janë dy vajzat që dyshohet se sulmuan një të mitur dhe policët

Në Prizren, Policia arrestoi dy vajza.

Zyrtarët policorë u penguan dhe u sulmuan pasi intervenuan në një incident, ku dy të dyshuarat ishin të përfshira.

Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për M. Binaj dhe M. Binaj, njëra 23 e tjetra 22-vjeçare, që tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Fillimisht, dy vajzat e dyshuara kishin sulmuar fizikisht një të mitur në rrugën “Wiliam Walker”, për motive akoma të panjohura. Pasi rasti u denoncua, një njësi policore doli në vendin e ngjarjes, por u përballën me rezistencë, derisa arritën ta vënë situatën nën kontroll.

Edhe pas ndërhyrjes së Policisë, të dyshuarat i kanë penguar zyrtarët policorë e madje edhe i kanë sulmuar fizikisht.

Lajmin e ka bërë të ditur edhe Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është konfirmuar se të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare pasi që, dyshohej që kishin sulmuar fizikisht një të mitur, ku më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Dy të dyshuarat dhe dy zyrtarë policorë, një mashkull dhe një femër  kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.