24-11-2024

Prizren: Komuna mobilizohet për menaxhimin e situatës ndaj koronavirus-it

Komuna në bashkëpunim ndërinstitucional për menaxhimin e situatës në rast të përhapjes së sëmundjes së coronavirus-it.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashkë me drejtorët komunalë nga Drejtoria e Shëndetësisë, Emergjencës dhe Sigurisë, Inspektoriatit, Shërbimeve Publike, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arsimit dhe Administratës, si dhe përfaqësuesit e institucioneve si Spitali Rajonal i Prizrenit, Brigada e Zjarrfikësve, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Ekoregjioni dhe Hidroregjioni, sot kanë mbajtur një takim koordinues për të pasur një bashkëpunim sa më të mirë ndërinstitucional lidhur me menaxhimin e situatës në rast të përhapjes së sëmundjes së coronavirus-it.

Kryetari Haskuka duke njoftuar të pranishmit se për këtë çështje paraprakisht ka pasur takime me organet përgjegjëse brenda Komunës së Prizrenit, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të qenë sa më efikas në parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe trajtimin e duhur në raste të dyshimta. Ai gjithashtu theksoi se fatmirësisht deri më tani janë marr të gjitha masat e nevojshme dhe për këtë arsye nuk duhet të ketë panikë nga qytetarët për këtë çështje.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë u bë e ditur se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare sot është furnizuar me një sasi të konsiderueshme të pajisjeve mbrojtëse dhe dezinfektuese, derisa në koordinim me qendrën rajonale në Prizren të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në pikën kufitare në Vërmicë janë duke u anagazhuar ekipet mjekësore që po kujdesen për gjendjen shëndetësore të personave që po hyjnë në Kosovë.

Si masë preventive është caktuar një autoambluancë e cila është në dispozicion 24 orësh dhe do të shërbejë vetëm për rastet e dyshimta ndaj coronavirus-it, dhe se kapaciteti në rast nevoje edhe mund të rritet.

Lidhur me trajtimin e rasteve të dyshimta Spitali Rajonal tashmë ka një ekip profesional për përkujdesje të vazhdueshme, kurse në repartin infektiv të këtij spitali janë në dispozicion hapësira të veçanta dhe të izoluara ku mund të qëndrojnë pacientët me raste të dyshimta.

Në anën tjetër, për higjienën publike po kujdesen institucione dhe drejtori të ndryshme komunale. Nga Inspektorati Sanitar për këtë çështje janë rekomanduar pastrimi dhe dezinfektimi i hapësirave publike si stacioni i autobusëve, autobusët urbanë, shkollat, si dhe objektet të ngjashme ku mund të ketë numër të konsiderueshëm të njerëzve. Ndërsa nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u bë e ditur se gatishmëri janë kompanitë kontraktuese të cilat në rast nevoje mund të bëjnë desinfektimin e tërësishëm të qytetit.

Ndërsa nga Drejtoria e Arsimit në koordinim me shkollat e komunës po anazhohen veçanërisht në vetëdijësimin e nxënësve dhe për këtë qëllim sot në orën e parë mësimore janë dhënë informacione të nevojshme tek nxënësit se si duhet të veprojnë për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Në gatishmëri të plotë dhe bashkëpunim janë treguar edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Gjatë këtij takimi ndër tjerash u diskutua edhe për lokacionet dhe hapësirat që mund të shërbejnë për karantinë, si dhe krijimi i një karantine ditore, për të cilat po kujdeset Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri.

Krejt në fund, të pranishmit u dakorduan që të themelojnë një trup të përbashkët koordinues lokal për menaxhimin e situatës nga sëmundja e coronavirus-it dhe njëkohësisht të vazhdohet sa më shumë me fushatë vetëdijësuese tek qytetarët për parandalimin dhe mospërhapjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse.

Asnjë koment

Comments are closed.