13-05-2021

Prizren: Kthehet në rishqyrtim vendimi për vënien në diskutim publik të hartës zonale

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për vënien në shqyrtim publik të hartës zonale është vlerësuar si i kundërligjshëm nga niveli qendror. Ministritë përkatëse kanë kërkuar nga organet komunale që ky akt të harmonizohet me dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria e Pushtetit Lokal, përmes një shkrese dërguar kryetarit të Komunës dhe kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit, ka pohuar se vendimi në fjalë është shqyrtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), si institucion përgjegjës për shqyrtimin e ligjshmërisë së aktit të kësaj natyre. Ndërsa MEA ka bërë të ditur se ka marrë në shqyrtim-vendimin e KK-së së Prizrenit për vënien në shqyrtim publik të hartës zonale, të miratuar më datë 30 shtator 2020, shkruan Koha.

Lexo edhe:

Këto janë lokalitetet e rajonit të Prizrenit të rasteve të reja me Covid

“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e MEA dërguar në MPL.

MEA ka shtuar se vendimi nuk është në përputhje me Ligjin për planifikim hapësinor.

“Preambula e vendimit të plotësohet: vetëm neni 11 paragrafi 1, nënparagrafi 1.12 dhe neni 20 i Ligjit për planifikim hapësinor, të shtohet neni 7, paragrafi 2 i UA MMPH 05/2014 për përgjegjësitë e autoriteteve të planifikimit hapësinor si dhe parimet dhe procedurat për pjesëmarrjen e publikut në planifikim hapësinor”, shkruan në arsyetimin e MEA. Tutje kërkohet që te neni 1 të fshihet pjesa “miratohet vënia në shqyrtim publik…” dhe të shkruhet “vihet në shqyrtim publik Projekt-harta zonale e Komunës së Prizrenit 2020-2028, në Komunën e Prizrenit”, pastaj te neni 2 kërkohet që të specifikohet data e fillimit dhe mbarimit të shqyrtimit publik dhe vendi ku do të mbahet, derisa edhe te neni 7 kërkohet përmirësimi me definimin që afati i hartimit të jetë 18 muaj.

“Bazuar në të cekurat më lart, MEA i propozon MPL-së që të kërkojë nga Kuvendi i Komunës/kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në shkresën e MEA dërguar në MPL. Kjo e fundit shkresën ua ka përcjellë organeve komunale me kërkesën për harmonizim ligjor të vendimit përkatës.

Kuvendi i Prizrenit, sipas ftesës së dërguar nga kryesuesi Sulltan Badallaj, parashihet që këtë vendim ta rishqyrtojë në mbledhjen e caktuar më 19 nëntor 2020.

Vendimi i kontestuar nga niveli qendror ishte miratuar njëzëri nga anëtarët e KK-së në seancën e mbajtur më 30 shtator 2020. Para anëtarëve të KK-së, drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, pati kërkuar mbështetje për këtë vendim, duke theksuar se duhet përshpejtuar procesin në mënyrë që harta zonale të përmbyllet brenda vitit.

“Me hartën zonale do të kemi mundësi të bëjmë përmirësime në shumicën e planeve rregulluese që kanë privuar shumë qytetarë në vende të ndryshme brenda Komunës së Prizrenit. Me këtë hartë zonale po synojmë të krijojmë një rrjet të qarkut të brendshëm, ku brenda pak minutave mund të kemi qasje në çdo zonë të qytetit. Po ashtu, me këtë hartë zonale do ta krijojmë formulën e ekuilibrit në mes të vendbanimeve individuale dhe atyre kolektive dhe do të krijojmë një alternativë për transportin në Komunën e Prizrenit”, pati thënë Kizolli.

Ndërsa, kuvendari i PDK-së, Getoar Besimi, ka theksuar se harta zonale vjen me shumë vonesë dhe bazohet në PZHK-në e vjetër, por që megjithatë paraqet një dokument të rëndësishëm për zhvillimin e komunës, prandaj edhe subjekti i tij është në favor të vënies në diskutim publik. Edhe kuvendarët e tjerë e kanë mbështetur vënien në shqyrtim publik të hartës zonale me vërejtjet që diskutimet publike të organizohen në mënyrë të duhur, nëpër vendbanime të ndryshme dhe duke përfshirë sa më shumë hisedarë.

Harta zonale e Komunës, sipas legjislacionit, përshkruhet si dokument multi-sektorial, që përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Komunës, për një periudhë së paku tetëvjeçare./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.