02-05-2024

Prizren: Kush pritet të largohet e kush do të bëhet pjesë e kabinetit të Haskukës?

Paralajmërimet për ndryshime të drejtorëve në ekzekutivin lokal, të drejtuar nga kryetari  Mytaher Haskuka, për të cilën “dy javë më parë ka shkruar  “GazetaePrizrenit.net”  kanë nisur të bëhen realitet.

Derisa tashmë janë bërë publike emrat e disa drejtorëve të shkarkuar dhe zëvendësuesve të tyre, ka nisur edhe lakimi i disa emrave,  të cilët supozohet se do të marrin  drejtimin e disa sektorëve lokal. Ndryshime do të ketë në 10 nga 13 drejtori sa janë gjithsej  në qeverinë lokale.

Haskuka ka paralajmëruar se në fillim të kësaj jave do të zyrtarizoj emrat e drejtorëve të rinj, prej të cilëve ai ka thënë se do ketë njerëz profesionist, por edhe anëtarë të VV-së.

Kryetari prizrenas në mediet lokale ka deklaruar se pasi do të fokusohet kryesisht të puna e ekzekutivit, duke zbehur rolin e Asamblesë,  do të ndërrojë shumicën e këshilltarëve dhe sipas tij, kjo bëhet për shkak të një periudhe të punës,  apo edhe rënies së intensitetit, shkaku i lodhjes.

Në postin e nënkryetarit të komunës, tashmë është emëruar  Visar Shehu, që ka lënë bosh pozitën e drejtorit të shëndetësisë, të cilin e ka udhëhequr. Pa drejtor janë po ashtu edhe sektori i Urbanizmit dhe Mirëqenies sociale.

Ndryshimet e para janë bërë pas prishjes së koalicionit të Haskukës me partnerin e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku si pasojë Haskuka ka shkarkuar nënkryetarin e Komunës, Eshref Memajn, drejtorin e Urbanizmit, Fatmir Memaj,  atë të Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashin dhe drejtorin e Bujqësisë, Egzon Elshanin, që të gjithë nga LDK.

Drejtor i Bujqësisë është emëruar Agron Limani nga VV,  ndërsa pritet që Emilia Redzepi, nga partia e komunitetit boshnjak NDS,  ta udhëheq drejtorinë e Kulturës.

Referuar burimeve, Osman Krasniqi nga VV pritet të emërohet drejtor i ri i Shërbimeve Publike në vend të drejtorit të deritanishëm po ashtu nga LVV, Levent Kasëmi. Nuk dihet ndërkaq, nëse ai do të shkojë apo do të jetë pjesë e ndonjë sektori tjetër.

Për postin e drejtorit të Urbanizmit po lakohet emri i Beni Kizollit.

Derisa Haskuka ka pranuar se nga partneri i VV-së, subjekti turk KDTP do të mbetet vetëm njëri nga dy drejtorët, burime të portalit “Gazeta e Prizrenit” njoftuan se punën do ta vazhdojë Sevil Kazaz, në Drejtorinë e Turizimit, derisa Furkan Erguler nuk do të jetë në krye të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa.

“KDTP tashmë ka koalicion me LDK-në në qendër, dhe për këtë nuk preferon të jetë pjesë e qeverisjes në Prizren”, tha nja zyrtar me kusht anonimiteti.

Pushteti lokal në Prizren, që prej dy vjet e gjysmë drejtohet nga Haskuka i Vetëvendosjes, përkundër premtimeve për ndërrimin e diskursit të qeverisjes nga ish-PDK,  prej të cilës mori pushtetin,  shpesh është përballur me aktakuza. Për një periudhë të shkurtë, tashmë një numër i zyrtarëve akuzohen për “probleme” me drejtësinë.

Sipas informacioneve të portalit  “Gazeta e Prizrenit”, të publikuara edhe më parë, kërkesa për ndryshime në ekzekutiv ka ardhur pas kritikave nga shoqëria civile dhe mediet për shkak të aktakuzave të ngritura nga Prokuroria ndaj disa drejtorëve dhe tenderëve të kushtueshëm.  Ndërkaq, presion dhe kritika ka pasur edhe nga opozita në Prizren.

Për drejtorin Kasëmi, madje thuhet se kërkesa për ndërrim ka ardhur nga qendra. Kujtojmë se ai ka aktakuzë të ngritur nga ana e Prokurorisë në Prizren.

Së fundi, portali Gazeta e Prizrenit njoftoi edhe për dënimin e ish-drejtorit për Arsim të Haskukës, Skënder Susurit, për shkak të punësimeve pa konkurs.

Ndërkaq, një muaj më parë,  Haskuka ka suspenduar nga detyra shefin e zyrës ligjore në Komunën e Prizrenit, Arben Krasniqin.  Në fakt, ekzekutivi lokal ka edhe probleme të tjera. Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, po ashtu akuzohen edhe dy ish-drejtorë të tjerë,  ai i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër e Gjeodezi, Refik  Shaqiri. Aktakuzë të ngritur ka edhe ndaj Islam Thaçit, drejtor për Inspektorate.

Prokuroria në Prizren tashmë ka ngritur aktakuzë edhe kundër pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Deri tash nga ekzekutivi janë larguar edhe Flaka Siqeca (ish-drejtoreshë për Shëndetësi, që shkoi në studime), Ertan Simitci (KDTP) ( i dorëhequr pas ngritjes së aktakuzës), pastaj ish-drejtori për Kadastër e Gjeodezi, Refik  Shaqiri, si dhe dy ish-drejtorët e Arsimit: Skënder Susuri dhe Gani Gërmizaj  (të dy nga Nisma). /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.