10-04-2021

Prizren: LDK-ja akuzon qeverinë lokale për mosrealizim të projekteve të mirëqenies sociale

Dega e LDK-së në Prizren, të mërkurën, ka vlerësuar se viti aktual është i dështuar sa i përket realizimit të projekteve në Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Anëtari i kryesisë së kësaj dege, Fejzë Kabashi, i cili deri në muajin maj të këtij viti ka qenë në krye të kësaj drejtorie, ka theksuar se pjesa dërmuese e buxhetit të DPMS-së ka mbetur pa u shpenzuar.

2020 është i dështuar në Komunën e Prizrenit, sidomos në sferën e mirëqenies sociale. Me buxhetin që kanë planifikuar vet nuk kanë arritur që ti realizojnë projektet, sepse nga 1 milionë euro të mbesin 800 mijë euro, nuk ka tjetër emër pos dështim”, ka thënë Kabashi gjatë një konference për medie, teksa ka lënë të kuptohet se në mungesë të transparencës së plotë nga DF-ja e DPMS-ja, shumat mund të kenë ndryshime.

Sipas tij, projekti i parë që nuk është realizuar është ndërtimi i shtëpisë së pleqve.

“Për këtë projekt DPMS ka pas të ndarë një shumë 30 mijë euro, dhe kontratën e ka gjetur nga vitet e kaluara, por nuk është realizuar. Momentin kur e kam dorëzuar detyrën me kompaninë kemi qenë në negocim të shkëputjes së kontratës. Deri më sot nuk ka diçka konkrete dhe ka dështuar”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka shtuar se projekti i dytë që nuk është realizuar ka të bëj me ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale 2.

“Prizrenit i takon ti ketë 2 qendra sociale. Projekti ka qenë i gatshëm për me procedua në tenderim. Deri tani as ky projekt nuk është realizuar”, është shprehur Kabashi.

Projekt tjetër që nuk është realizuar sipas tij është ndërtimi i banesave sociale.

“Ishte projekt i shpallur përmes të cilit do të ndërtoheshin 48 banesa tek banesat ekzistuese në lagjen Petrovë, por Komuna nuk arriti ta realizoj as këtë projekt”, ka thënë Kabashi.

Ai ka pohuar se edhe projekti për furnizim dhe ndërtim të shtëpive për familjet skamnore deri në muajin dhjetor nuk është realizuar.

“Me projekt parashihej ndërtimi i 30 shtëpive për familje nevojtare në Komunën e Prizrenit…DPMS ka shpallur listën preliminare dhe deri më tani nuk e ka shpallur listën përfundimtare”, ka theksuar ish-drejtori nga radhët e LDK-së.

Sipas tij edhe projekti i qëndrimit tërë ditor nuk është jetësuar pasi që nuk është ndërtuar objekti, ku parashihej ofrimi i shërbimeve për fëmijët në situatë rruge, derisa ka nënvizuar mos funksionalizimin edhe të Shtëpisë Rezidenciale në Dardani.

Kabashi ka pranuar realizimin e pjesshëm të projektit për renovimin e shtëpive dhe banesave për familjet skamnore, lidhjen fizike të arkivit dhe QPS-së, blerjen e një veture për shtëpinë rezidenciale si dhe jetësimin e projektit për furnizim me material ndërtimor për kulme.

“Ndërkaq dështimi i vitit ishte mosarritja e marrëveshjes me shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit’ për ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë për vitin 2020, pasi me këtë shoqatë kishte një traditë të bashkëpunimit, jo vetëm për ndërtimin e shtëpive. Tash së fundmi e kuptova që kanë bërë marrëveshje por për 2021-ën, por për 2020 nuk është bërë”, ka thënë Kabashi.

Opozitari nga LDK-ja ka shprehur pesimizëm edhe sa i përket jetësimit të projekteve në vitin 2021 dhe 2022. “Kjo për arsye se kjo qeverisje nuk ka buxhet për vitin 2021 dhe nuk ka aftësi që të projektojë buxhet për vitin 2022. E keqja do të jetë që edhe qeverisja që vjen në vitin 2022 do të jetë pa buxhet të projektuar”, ka përfunduar ai.

Dega e Lidhjes Demokratike në Prizren, ka bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje në nivel komunal deri në fillim të muajit qershor të këtij viti, kur përfaqësues të dy subjekteve patën njoftuar për shkëputjen e koalicionit në nivel lokal./KOHA/

Asnjë koment

Comments are closed.