23-04-2024

Prizren: Mbi 230 nxënës dhe 32 mësimdhënës të infektuar me Covid

Në Spitalin e Prizrenit, janë duke u trajtuar 5 pacientë për Covid-19, ndërsa gjendja e tyre paraqitet stabile, bën të ditur drejtuesit e Spitalit. Sipas tyre, 2 nga pacientët janë me dy doza të vaksinës, 1 me vetëm njërën dozë, dhe dy të tjerë të pavaksinuar, dhe se gjendja e tyre paraqitet stabile.

Në anën tjetër, numri i nxënësve të infektuar nga lloji i ri i virusit në Prizren ka arritur në mbi 230 nxënës dhe 32 mësimdhënës, 2 punëtorë teknik dhe një ndihmës kuzhiniere, njoftuan nga Drejtoria e Arsimit, raporton Televizioni i Prizrenit.

Pas rritjes së rasteve, prej dje gjimnazi privat “Loyola” në Prizren, ka kaluar në mësim online, ndërkohë që në gjimnazin “Gjon Buzuku disa klasë tashmë kanë kaluar në këtë formë të të zhvilluarit të mësimit, raporton Gazeta e Prizrenit.

Për shkak të situatës së përkeqësuar me Pandeminë,  me vendim të Task Forcës së shkollës, procesi mësimor në gjimnazin më të madh “Gjon Buzuku” këtë javë do të zhvillohet me orë mësimore të shkurtuar,  me nga 30 minuta tjetër.

Drejtori i Spitalit, Afrim Avdaj, thotë se përkundër rritjes së numrit të të infektuarve, nuk ka rritje të numrit të atyre të cilët kanë nevojë për hospitalizim në këtë institucion.

Përkundër rritjes së të infektuarve, zyrtarët e arsimit, thonë se gjendja nëpër shkolla është normale pa u dëmtuar procesi mësimor, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes.

Asnjë koment

Comments are closed.