Prizren: Mësimdhënësit po torturohen që ti marrin shujtat ditore që u takojnë

Mësimdhënësit po torturohen që për të drejat e tyre të sillen nëpër inspektoriate e gjykata.

E këtë gjë, ata po e shohin si zgjidhjen e vetme për përmbushjen e obligimeve që ka shteti ndaj tyre, shkruan Indeksonline.

Avokati Bestar Kolgeci për Indeksonline tha se mësimdhënsve askush nuk mund t’ia realizon të drejtat pa rrugë gjyqësore.

Madje Kolgeci tha se ish-drejtorit të arsimit të Prizrenit i kërkoi që t’ia lëshojë të hollat mësimdhënësve, e ti përmbushin obligimet e tyre, të mos i mundojnë ata përmes gjykatës, por ai i tha: “Shko lypi të Isa Mustafa e Hashim Thaçi, pasi ata e kanë nënshkru marrëveshjen”.

Ai tha se qysh në vitin 2014 u nënshkrua Marrëveshja e Parë Kolektive ndërmjet Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, ku u parapanë pagat jubilare, ushqimin për mësimdhënës me nga 2 euro në ditë, pagat përcjellëse si dhe udhëtimin, por asnjëra nga to nuk është zbatuar.

Më pas erdhi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, jo vetëm për sektorin e arsimit por për të gjithë sektorët si ata publikë e privatë. Kjo hyri në fuqi më 1 janar 2015 dhe ishte në fuqi deri më 31 dhjetor 2018, e cila i kishte paraparë gjërat e njëjta si Marrëveshja e Parë Kolektive. Por edhe kjo dështoi, nuk u zbuatua.

Marrëveshja e vitit 2014 dhe ajo e vitit 2015-të, sa i përket shujtave e lanë një mundësi të hapur, që nëse punëdhënësi nëse nuk ka mundësi me pagu, mos të paguajë.

Neni 54 i marrëveshjes së vitit 2015, thotë për shujtat ditore të mësimdhënësve që t’iu paguhen nga 2 euro për një ditë pune, varësisht nga rrethanat dhe mundësitë konkrete, por ky përjashtim ishte i paraparë për sektorin privat dhe jo atë publik.

Tutje, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikata Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nënshkruan prapë marrëveshje, e cila hyri në fuqi më 18 prill 2017, e që e hoqi këtë përjashtim, nuk përmendet askund nëse ka mundësi apo jo, shujtat duhet doemos të paguhen, është obligim.

Kolgeci tha se janë dy mundësi deri të arritja e shujtave: 1.Përmes Inspektoriatit të Punës, e cila zgjat rreth një vit dhe 2.Përmes gjykatës, ku procedura zgjat një vit e gjysmë.

Edhe pse mësimdhënësit e marrin vendimin e plotfuqishëm nga gjykata apo inspektoriati, prapë Komuna nuk i lëshon të hollat e arsyetohet kinse nuk kanë buxhet, kështu që ata detyrohen të fillojnë procedurën e përmbarimit, e cila zgjat nga 3-6 muaj.

Kompenzimi që kërkojnë është nga 18 prilli i vitit 2017, atëherë kur hyri në fuqi Kontrata Kolektive e deri në dhjetor të vitit 2018.

Nga data 18 prill 2017 janë 127 ditë pune, për vitin 2018 janë 185 ditë pune, dmth për secilin mësimdhënës janë 312 ditë punë, që i bie ata të marrin 624 euro për këto ditë pune të llogaritura.

Viti 2019 nuk është përfshirë, por nëse vazhdon komuna të mos i kryejë obligimet e saj atëherë ata do të detyrohen që ti bëjnë pagesat edhe për vitin 2019.

Bestar Kolgeci, i cili përfaqëson rreth 5000 mësimdhënës nga Prizreni, Dragashi, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Klina e vende të tjera, tha se sipas informatave të tij vetëm komuna e Drenasit dhe Ferizajt po i kryen obligimet vullnetarisht.

Shkolla e parë e cila i fitoi shujtat përmes rrugës gjyqësore është SHFMU “Mustafa Bakiu” në Prizren.

Nga fillimi i procedurës, deri në momentin kur mësimdhënësi i merr të hollat, procedura zgjat prej një vit e gjysmë deri dy vite./Indeksonline