Prizren: Nis edicioni i 23-të i Dokufest-it
Në Prizren ka nisur edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, Dokufest.
Festivali do të zgjasë deri më 10 gusht. Në repertorin e këtij edicioni janë 240 filma, nga të cilët 109 do të garojnë në tetë kategori.
Përveç Kosovës, ka edhe rreth 100 filma të shkurtër nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe filma shumë cilësorë edhe nga rajoni. Sipas drejtorit ekzekutiv të Dokufestit, Veton Nurkollari, nga rajoni veçohen filmat nga Bosnje e Hercegovina.
Lexo Edhe:
Kryetari i AAK-së, Krasniqi: Me komunën e Prizrenit po udhëheqin kërcënimet me prokuror të njofshëm e familjarë
Fokusi i Dokufest-it të këtij viti është Ukraina, por po ashtu do të shfaqen edhe më shumë filma nga Gaza. Disa nga ta janë bashkëprodhuar nga autorë palestinezë dhe izraelitë.
“Gjithçka është gati për të filluar. Presim një numër të ftuarve nga e gjithë bota dhe adhuruesit e filmit do të shijojnë krijimet me cilësi të lartë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Veton Nurkolari, para nisjes së festivalit.
Dokufest-i është renditur i 25-ti në listën e festivaleve më të mira në botë të kësaj kategorie. /REL / Fotot: Dokufest