Prizren: Paditësja e DKA-së përveç kthimit në punë, kërkon anulimin e konkursit
Mësimdhënësja Bukurie Krasniqi, e cila ka paditur Drejtorinë e Arsimit në Prizren, me pretendimet për largim nga puna në mënyrë të paligjshme, të martën, përmes avokatit të saj, Brahim Sopa, ka kërkuar që përveç kthimit në punë, të bëhet edhe anulimi i konkursit, sipas të cilit, nuk është zgjedhur mësimdhënëse.
Gjyqtari i rastit, Atdhe Berisha, bazuar në kërkesën e paditëses, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor dhe i ka dhënë asaj afat prej shtatë ditësh që të precizojë kërkesëpadinë, duke e njoftuar se pasi të pranojë padinë e ndryshuar do të caktojë seancën e radhës.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë civile të parashtruar nga Krasniqi, me të cilën kërkon nga Gjykata Themelore në Prizren, që të marrë vendim me të cilin obligohet Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren, që ta sistemojë atë në një vend pune si mësimdhënëse.
Paditësja, përmes padisë, pretendon se DKA është e obliguar ta sistemojë atë në një vend të punës si mësimdhënëse, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 10/15 të Ministrisë së Arsimit, pasi që ka punuar për më shumë se një vjet në institucionet arsimore sipas konkurseve të DKA-së.
Ajo po ashtu kërkon që t’i kompensohen rrogat e dy muajve që nuk i ka marrë dhe të obligohet e paditura që të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore./betimiperdrejtesi/