24-04-2024

Prizren: Paraburgim burrit xheloz që lidhi e rrahu bashkëshorten

Departamenti i Përgjithshëm Penal që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit (GJTH), ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji, një të dyshuari me iniciale A.K., për shkak të veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.

Referuar Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më datën 31.08.2018, në shtëpinë e tyre të përbashkët e cila gjendet në Prizren, i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor të dëmtuarës (bashkëshortes) me iniciale F.K. për shkak të “problemeve familjare motiveve të ulëta të xhelozisë, i dyshuari fillimisht e kishte lidhur të dëmtuarën dhe më pas ka përdorur dhunë duke i shkaktuar lëndime trupore”, raporton Koha.net.

“Caktimi i paraburgimit është tani për tani i domosdoshëm dhe i arsyeshëm pasi që të dy jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme përkatësisht në shtetin e Zvicrës. Gjykata po ashtu njofton se të njëjtit bashkërisht në muajin korrik kanë ardhur për pushime në Kosovë andaj “po të mbetet në liri mund të dëmtojë, asgjësojë provat dhe do të ndikojë tek dëshmitarët si dhe pjesëmarrësit tjerë”, thuhet në njoftimin e GJTH-së.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.