25-04-2024

Prizren: Paraburgim për të miturin që vrau bashkëmoshatarin

Prokuroria Themelore në Prizren, dje, rreth orës 10:00 është njoftuar nga Policia e Kosovës, se në rr. “Ylber Fanaj” në Prizren, ka ndodhur një përleshje fizike në mes disa të rinjve, të mitur, ku janë përdorur edhe mjetet e prehta, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në bazë të informacioneve njëri nga sulmuesit e kishte goditur viktimën me mjet të prehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.

Prokurori kujdestar së bashku me njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar provat materiale.

Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika.

Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt./GazetaePrizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.