24-04-2024

Prizren: Përzgjidhen kandidatët në konkursin e shëndetësisë

Komisioni përzgjedhës ka përpiluar listën e ngushtë të kandidatëve për stomatolog, farmacistë dhe infermierë të përgjithshëm, të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet e konkursit, të datës 24 prill 2018 në Drejtorinë e Shëndetësisë në Prizren, raporton “GazetaePrizrenit.net”.

 

Në njoftim, thuhet se përzgjedhja është bërë nga një konkurrencë e madhe, pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve të pranuara.

 

“Të gjithë kandidatët do të lajmërohen edhe personalisht me shkrim, nëpërmjet e-mailit ose SMS-it për detajet e mbajtjes së testit”, thuhet në njoftim.

 

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në formë të shpalljes publike ka publikuar listën për të interesuarit.

 

Për këtë konkurs,  siç ka raportuar  “GazetaePrizrenit.net”  ka një interesim të madh tek punëtorët shëndetësore të Prizrenit, pasi rreth 250 persona kanë konkurruar  për 11 pozita. Mesatarisht del se 22 persona kanë konkurruar për një vend pune.

 

Më së shumti kanë aplikuar për pozitën: Infermier i/e përgjithshëm,  në Shërbimin Urgjent, ku  janë përzgjedhur 98 aplikues.

 

Për pozitën:  infermier i/e përgjithshme në Lubinje e Epërme, janë 3 aplikues.

Për infermier i/e përgjithshëm në Lubizhdë të Qytetit kanë aplikuar 89 persona. Për atë infermier i/e përgjithshëm në Reqan, janë 18 aplikues.

Për pozitën doktor i Stomatologjisë në QMF në Romajë janë 16 aplikues

Për farmacistë në Barnatoren e Qytetit janë përzgjedhur 32 aplikues.

Për punëtor higjienik në QMF në lagjen “Bajram Curri”,  do të testohen 23 aplikues, ndërsa të njëjtën pozitë në QMF Zhur, do të testohen me shkrim 5 aplikues.

Testi me shkrim do të nis nga data 25 maj dhe do të mbahet në dy lokacione, në sallën e madhe të QKMF-së në Prizren dhe në Universitetin “Ukshin Hoti“.

 

Zyrtarët kanë premtuar  se ata që marrin më shumë pikë, do të rangohen  për t’u punësuar, e në rast të pikëve të barabarta, do të merren parasysh disa përparësi për grupe më të margjinalizuara, përfshirë edhe persona që kanë familjarë me nevoja të veçanta apo familjar të dëshmorëve.

 

Po ashtu ata kanë premtuare se procesi i përzgjedhjes nuk do të neglizhohet  dhe do të jetë transparent, duke përjashtuar ndonjë manipulim. Kjo mbetet të shihet pasi të jetë shpallur lista e të pranuarve në punë./gazetaeprizrenit.net /

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.